Kandidati për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, është paraqitur sot përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në kuadër të procedurës së konfirmimit për postin diplomatik në Tiranë.
Në fjalën e tij ai u shpreh se Porto Romano mund të përdoret për të përmbushur synimet e Aleancës së Altantikut të Veriut.
“Shqiptarët që kam njohur në Afganistan dhe gjatë drejtimit të forcave speciale të NATO-s kanë guxim dhe profesionalizëm. Ata janë ushtarakë të mirë dhe partnerë të besueshëm për aleancën. Do të sigurohem që të pajisën për të përmbushur synimet e NATO-s. Shqipëria ka përmbushur 2 për qind të shpenzimeve për ushtrinë, janë zotuar ta çojnë në 5 për qind.
Kam besim se do të ketë një vlerësim dhe mënyra të ndryshme që do të gjejmë, që do të tejkalojnë detyrat ushtarake për të përmbushur synimet e NATO-s.Porto Romano është një nga portet kyçe në Shqipëri. Nëse në të ardhmen do të ketë një terminal të sigurt ngarkesash dhe një infrastrukturë të përshtatshme, ai mund të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme për NATO-n. Përmes korridorit pan-evropian numër 8, pajisjet ushtarake mund të lëvizin lirshëm dhe kjo do të ishte shumë e dobishme si për aleancën, ashtu edhe për bizneset amerikane që mund të përfshihen në zhvillimin e portit dhe infrastrukturës”, tha ai.
Më tej ai shtoi se nëse do të konfirmohet si ambasador i SHBA në vendin tonë, do të bëjë gjithçka për të mbështetur bizneset amerikane, qofshin ato të biznesmenëve të thjeshtë ose jo.
“Nuk kam informacion për investimet në Shqipëri. Unë di që puna ime si ambasador është të lehtësoj bizneset amerikane. Të gjitha pa preferenca. Puna ime është të sigurohem që ta bëj në rrugën e duhur dhe sa i përket korrupsionit, SPAK ka qenë shumë efektive. Kur të shkoj të terren do të kuptojmë mirë se çfarë po ndodh” tha ai.
Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.
Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim. Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së. Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.
