Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në edicionin e dytë të MatchMaker Albania, një platformë që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase e ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 1000 persona dhe u zhvilluan më shumë se 400 takime biznesi.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e inovacionit dhe zhvillimeve të reja në industri, duke përmendur edhe një projekt teknologjik të realizuar në Shqipëri. “Dua të sigurohem që të gjithë e dini që ai qeni që çeli seancën është prodhuar në Shqipëri dhe është puna e një ekipi të jashtëzakonshëm që do të jenë një përfitim i madh për industrinë tonë ushtarake,” u shpreh ai.

Kryeministri u ndal edhe te transformimi ekonomik i vendit, duke theksuar se Shqipëria është tashmë në një epokë të re sipërmarrjeje dhe zhvillimi, në përputhje me trendet globale. Ai përmendi rritjen e turizmit dhe zgjerimin e ofertës turistike, duke e cilësuar vendin si një destinacion me mundësi të shumta, nga turizmi malor deri te ai kulturor dhe urban.

“Sot është më e lehtë që njerëzit të vijnë dhe të kthehen në Shqipëri. Nga një vend me turizëm sezonal, Shqipëria është kthyer në një destinacion me një portofol të gjerë mundësish,” tha Rama, duke shtuar se një tjetër shtyllë e rëndësishme e zhvillimit mbetet bujqësia inteligjente.

Në vijim, ai komentoi edhe perceptimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka më shumë probleme në këtë drejtim sesa vendet e tjera.

“Ne nuk kemi më shumë korrupsion dhe krim të organizuar se ccdo vend tjetër, nuk do përmend këtu portet europiane apo qarkullimine drogëns në Europë, nuk do krahasoj që të them se ne jemi më të mirë se të gjithë të tjerët, por për aa që thonë jemi më të këqinj, u them shihni veten”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb