Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar ashpër ndaj një dokumentari kritik ndaj luftës në Ukrainë, i cili u vlerësua me çmimin Oscar në ceremoninë më të fundit të Academy Awards.
Bëhet fjalë për dokumentarin “Zoti Askush Kundër Putinit” të regjisorit rus Pavel Talakin, i cili sipas autorëve të tij pasqyron propagandën pro-luftës në Rusi dhe ndikimin e saj në shoqëri, veçanërisht tek fëmijët.

Gjatë një takimi të transmetuar publikisht, Putin kritikoi ashpër Ministren e Kulturës Olga Lyubimova për vonesat në vendosjen e kufizimeve të reja në kinematë ruse.
“Pse po diskutojmë? Ideologjikisht, ne lejojmë që të hyjnë filma krejtësisht budallenj dhe të panevojshëm, ndërkohë që nuk i mbështesim financiarisht producentët tanë”, u shpreh ai.
Presidenti rus akuzoi gjithashtu Perëndimin për ndikim ideologjik dhe bëri thirrje për përshpejtimin e masave të censurës, përfshirë vendosjen e kuotave që do të kufizonin ndjeshëm shfaqjen e filmave të huaj në vend.
Ndërkohë, një gjykatë në Chelyabinsk vendosi ndalimin e shpërndarjes së dokumentarit në territorin rus. Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e filmit nga disa platforma online, duke argumentuar se ai paraqet një qëndrim negativ ndaj luftës në Ukrainë dhe qeverisë ruse. Sipas autoriteteve, ndalimi justifikohet me mbrojtjen e interesave të publikut, ndërsa filmi është akuzuar se përfshin edhe pamje të të miturve pa pëlqimin e prindërve.
Historia
Dokumentari ndjek historinë e një mësuesi në Rusi që dokumenton mënyrën se si, sipas filmit, propaganda pro-luftës është integruar në sistemin arsimor gjatë konfliktit në Ukrainë.
Regjisori Pavel Talakin, 35 vjeç, bashkëpunoi me regjisorin amerikan David Borenstein për realizimin e projektit. Ai u largua nga Rusia duke marrë me vete materialet filmike dhe tashmë është shprehur hapur kundër luftës.
Autoritetet ruse e kishin kritikuar dokumentarin edhe më herët, ndërsa Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Rusisë kërkoi hetim nga UNESCO dhe Akademia e Oscar-ëve, duke pretenduar se materiali ishte përdorur në mënyrë të papërshtatshme.
