4 ndeshje 12 pikë të plota. Portugalia është perfekte në këtë edicion të Nations League, me luzitanët që “thyen” 2-1 Norvegjinë e Haaland. Shifrat i japin të drejtë Jorge Jesus, Portugalia funksionon në mënyrë të shkëlqyer pa C.Ronaldo-n. Vikingët ishin të parët që kaluan në avantazh, me një super gol, ku Ajer nga distanca tundi rrjetën me një goditje fantastike në minutën e 36-të.

Festa e Norvegjisë nuk zgjati shumë pasi Portugalia iu përgjigj në të njëjtën formë, dy minuta më pas, me një tjetër gol spektakolar. Joao Cancelo me një predhë të vërtetë në kufijtë e zonës barazoi shifrat në 1-1.

Ritmi i lojës ishte fantastik, me Portugalinë që tentoi 7 herë kuadratin, ndërsa në minutën e 79-të, Gonçalo Ramos finalizoi me gol një aksion shumë të bukur. Portugalia e mbylli sfidën me 10-të lojtarë pas daljes me karton të kuq të Francisco Conceiçaos, por ky detaj nuk pati ndikim në rezultat, me Portugalinë që feston për këtë 3 pikësh të artë duke u kualifikuar si kokë grupi.

Pas surprizës së madhe në Botërorin “FIFA2026”, Norvegjia zhgënjen në Nations League ku pas 4 ndeshjeve e sheh veten në vendin e fundit me 3 pikë.

Në Grupin e 4 në Ligën A, Danimarka doli me 3 pikë pas fitores 0-1 në transfertë përballë Uellsit. Golin e fitores për danezët e shënoi Hojlund në minutën e 79-të, me sulmuesin e Napolit që u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Me 6 pikë në 4 ndeshje, Danimarka renditet në vendin e dytë, 3 pikë më shumë se Uellsi dhe Norvegjia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb