Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë një deklaratë për shtyp, përmes të cilës shpreh qëndrimin lidhur me projektligjin për Barazinë Gjinore, i cili pritet të votohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë.

Foto
Foto

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, rithekson se qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Kujtojmë se në shkresën e KNFSH drejtuar presidentit, kryeministrit dhe parlamentit thuhet se disa prej dispozitave të këtij projektligji, krahasuar me ligjin ekzistues, shkojnë përtej barazisë gjinore dhe rrezikojnë ta fusin shoqërinë në një proces relativizimi moral.

“Shprehja gjinore, e ngritur mbi dëshirën për vetëpërcaktim personal gjinor, siç parashtrohet nga “teoria gjinore”, mohon ndryshimin më të madh që ekziston ndërmjet qenieve të gjalla: dallimin gjinor.

Duke e ndryshuar kuptimin për gjininë dhe duke e ngritur atë në një përmasë tërësisht të vetëpërcaktueshme, projektligji e shkëput njeriun nga natyra e vet biologjike dhe e zëvendëson me një koncept të ndryshueshëm, subjektiv dhe të pasigurt identitar.

Kjo qasje nuk e ndihmon integrimin shoqëror të individit, por e izolon atë në përjetime të brendshme psikologjike, duke thelluar individualizmin dhe dobësuar lidhjet familjare e shoqërore, që janë baza e një jete të shëndetshme komunitare. Shumëllojshmëria e perceptimeve nuk mund ta zëvendësojë realitetin themelor: njeriu është krijuar mashkull dhe femër, të thirrur për t’u përplotësuar e për të ndërtuar së bashku një shoqëri të drejtë dhe të shenjtë.

Siç dëshmon përvoja në vende të tjera, ndryshimi i kuptimit mbi gjininë hap rrugën për krijimin e identiteteve të pafundme, që e largojnë personin nga kuptimi dhe uniteti i vet themelor bio-psiko-shpirtëror”, thuhet në shkresën e KNFSH.

Deklarata për shtyp

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, rithekson edhe një herë qëndrimin e tij zyrtar, të shprehur në letrën dhe deklaratën e mëparshme, lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”.

KNFSH qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, siç është artikuluar qartë në dokumentin e dërguar më parë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile, me synim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj!

Bordi i Presidencës!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb