Arsenali po jeton një moment fantastik në Europë dhe në kampionat. Me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje në Champions League, 17 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar, londinezët kryesojnë renditjen dhe shihen si një nga favoritët për fazat finale. Dominimi vazhdon edhe në Premier League, ku janë në vendin e parë me vetëm dy humbje në 22 ndeshje.

Të martën në mbrëmje në “San Siro”, Interi përballet me një sfidë shumë të vështirë. Zikaltrit vijnë nga dy humbje europiane në minutat e fundit kundër Atletico Madrid dhe Liverpool, por janë në formë të shkëlqyer në kampionat, me tetë fitore dhe një barazim në nëntë ndeshjet e fundit. Me 12 pikë dhe vendin e gjashtë në renditje, skuadra e Chivu ka nevojë urgjente për tre pikë për të shmangur play-off-in dhe për të synuar kualifikimin direkt.

Shpresa kryesore mbetet kapiteni Lautaro Martinez, në formë të shkëlqyer, i cili do të formojë sërish dyshen sulmuese me Marcus Thuram. Në mbrojtje rikthehet Bastoni, ndërsa në mesfushë Mkhitaryan është favorit ndaj Sucic për një vend titullari. Interi kërkon një mbrëmje të madhe për të përmbysur parashikimet dhe për të mbajtur gjallë ambiciet europiane.Objektivi i skuadrës zikaltër është kualifikimi mes 8 më të mirave, gjë e cila do të mundësonte shmangjen e play off. Inter për momentin ndodhet në vendin e 6 me 12 pikë. Dy sfidat e fundit ndaj Arsenal dhe Dortmund pritet të jenë përcaktuese për fatin e zikaltërve në këtë fazë të Uefa Champions League.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb