NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Zbardhen koeficientët e shkollave të mesme, si pas të cilëve do të bëhet renditja e fituesve në pesë fakultetet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Rektori i Universitetit Bujqësor, Bahri Musabelliu ka deklaruar për “Gazeta Shqiptare” se senati akademik i UBT-së ka përcaktuar si kritere pranimi në programet e ciklit të parë për vitin akademik 2016-2017, dy kritere, kriterin e notës mesatare të shkollës së mesme si dhe kriterin e rëndësisë, ku përfshihet koeficienti i shkollës së mesme.
Këtë vit universitetet kanë formula të ndryshme për të pranuar studentët e rinj në ciklin Bachelor, ndërkohë që kushti i aplikimit në universitet për vitin akademik 2016- 2017, i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, është nota mesatare mbi 6. “Koeficientin më të lartë e kanë ato gjimnaze që kanë përputhshmërinë me programet e studimit që ofron UBT-ja”, – sqaroi rektori i UBT-së, Musabelliu. Sa u përket propozimeve për kuotat dhe tarifat, rektori i Bujqësorit ka sqaruar se ato janë në nivelin e vitit të shkuar, me përjashtim të disa programeve të studimit të cilat kanë ulje me 5-6%, për shkak edhe të kërkesave të pakta në tregun e punës.
KOEFICIENTËT
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Bahri Musabelliu ka sqaruar se renditja e aplikuesve në këtë universitet do të bëhet sipas formulës: Mesatare* Koeficientë. Mesatare do të përcaktohet mesatarja aritmetike e tri viteve të gjimnazit si dhe koeficientët e përcaktuar sipas shkollave të mesme nga vjen kandidati. Në tabelat e mëposhtme janë koeficientët e shkollave të mesme, sipas programeve të studimit që ofrohen në pesë fakultetet e UBT-së, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit; Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit; Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit; Fakulteti i Shkencave Pyjore si dhe Fakulteti i Mjekësisë Veterinare. Vlera më e lartë e koeficientit me të cilën vlerësohet një profil shkolle është 1, ndërsa më e ulëta është 0.7.
Kryesisht gjimnazet me kohë të shkurtuar kanë vlerësimin më të ulët, 0.7, ndërsa vlerësimet e tjera variojnë nga 0,8-0.9. Gjimnazi i përgjithshëm në të gjitha programet e studimit në pesë fakultetet e këtij universiteti ka vlerësim maksimal 1; vetëm në 6 programe studimi vlerësohet me koeficientin 0.95. Në total janë 37 profile shkollash të mesme, të cilat janë vlerësuar me koeficientin përkatës nga Universiteti Bujqësor.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
