Nga Klodiana Lala

TIRANË- Pa kaluar as gjysmë ore nga momenti kur kreu i SHISH Visho Ajazi Lika kishte lënë ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme paraditen e sotme, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nxitoi të kërkonte takim me Adriatik Llallën.

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord të takohen në orën 12:30 në zyrën e Kreut të Akuzës. Ndërsa ora po ecte, ish-ministri i Brendshëm nuk u pa të hynte në godinën e organit qendror të akuzës. Po ndërkohë lajmëroi dhe një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit. Çfarë kishte ndodhur? Gjatë kësaj kohe burimet flasin se pati një debat mes palëve.

Pak më pas kryeprokurori Llalla vendosi të largohej nga zyra duke i çuar mesazh Tahirit se nuk do ta priste. Zyra e shtypit e kryeprokurorit u kujdes të sqaronte se takimi nuk mundi të zhvillohej për shkak të angazhimeve të zotit Llalla.

Sipas saj, me gjasë takimi do të kishte në fokus arrestimin e Moisi Habilajt në shtetin fqinj. A u tremb Tahiri nga faktet me të cilat mund të përballej në zyrën e kryeprokurorit apo ky i fundit i mbylli derën? Këto dy pyetje ende s’kanë përgjigje. Fakt është që Moisi Habilaj është në pranga.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb