Prej 18 vitesh, lakrori me dy petë i pjekur në saç nuk është thjesht një gatim tradicional, por një simbol i traditës së Korçës që bashkon njerëzit.
Mbrëmja e 19 korrikut solli në Polenë,qytetarë nga Korça dhe jo vetëm të cilët morën pjesë në “Festën e Lakrorit” – një ngjarje që kremton kuzhinën vendase dhe vlerat e trashëguara brez pas brezi.
Gratë e fshatit, të ndihmuara nga burrat dhe të rinjtë, përgatitën lakrorin në mënyrën tradicionale, në saç.
Të pranishmit jo vetëm që shijuan një prej recetave më të vjetra korçare, por patën mundësi të ndjekin edhe nga afër gjithë procesin e përgatitjes.
E kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, “Festa e Lakrorit” organizohet nga Bashkia e Korçës si pjesë e aktiviteteve verore që synojnë promovimin e kulinarisë vendase dhe nxitjen e turizmit në zonën juglindore.
