Presidenca njofton se në 25 nëntor, ora 10:00, do të zhvillohet ceremonia e betimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi.

Ai fitoi me një votë më shumë në Gjykatën e Lartë, përballë kandidates tjetër Naureda Llagami, për parregullsi në votim.

Llagami iu drejtua Gjykatës Administrative, por kjo gjykatë tha se kërkesa ishte jashtë juridiksionit të saj. Më pas, ajo e ankimoi rastin në Kushtetueses, duke kërkuar që vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila emëroi Asim Vokshin si anëtar të Kushtetueses, të anulohej dhe që ajo të shpallej fituese. Por edhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Llagamin, duke bërë që Asim Vokshi zyrtarizohej anëtar i GJK.

Në Gjykatën Kushtetuese, Asim Vokshi zëvendëson anëtaren Holta Zaçaj.

Njoftimi i Presidencës

Në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë është administruar vendimi nr. 2, datë 30.9.2025 i Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila ka vendosur zgjedhjen e zotit Asim Vokshi në detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi u njoh me vendimin e përcjellë nëpërmjet shkresës me nr. 4778 Prot., datë 30.9.2025 të Gjykatës së Lartë, vendosi:

Zoti Asim Vokshi, Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur në këtë detyrë nga Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 2, datë 30.9.2025, do të kryejë betimin përpara Presidentit të Republikës ditën e martë, më 25 nëntor 2025, ora 10:00.

Ceremonia e betimit do të zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës, salla “Skënderbej”, me adresë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1. Tiranë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb