Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot 106-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, duke e cilësuar atë si një nga momentet vendimtare në historinë e shtetit shqiptar.

Në një postim në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit thekson se në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, përfaqësues nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit.

Sipas Presidentit Begaj, Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjet, për të marrë në dorë fatin e tyre dhe për të ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduara nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.

Presidenti shprehu nderim dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, të cilët certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb