Presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti sot në një takim Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë Rosen Zhelyazkov.

Marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe ngritja e infrastrukturës në ndihmë të këtij procesi, ishin në fokus të këtij takimi.

Presidenti Begaj falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, për nismat e përbashkëta multilaterale, për kontributin me trupa ushtarake në KFOR, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike në nivelin e atyre politike.

Presidenti Begaj dhe kryeparlamentari Zhelyazkov e trajtuan çështjen e fundit duke u ndalur në mundësitë zhvillimore që do të sjellë në këtë pikë infrastruktura tokësore dhe ajrore. “Përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje, do të risin, pa dyshim, shkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet”, – vlerësoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Ne e konsiderojmë të një rëndësie strategjike Korridorin 8 dhe po punojmë shumë fort që të përmbyllet sa më shpejt. Rruga është zhvillim, dhe ky korridor do të sjellë zhvillimin për të gjithë rajonin tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se situata aktuale në rajon kërkon mirëkuptim, bashkëpunim dhe tejkalim të politikave të së shkuarës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e plotë Eruro-Atlantik të tij.

Presidenti solli në vëmendje se “shqiptarët janë një popull që kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe e dinë që çmimi i lirisë është i pamatë, ndaj shqiptarët në rajon kanë qenë dhe janë paqedashës dhe faktor stabiliteti.”

Në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve përkatëse, Kreu i Shtetit siguroi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censusin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: