Presidenti Joe Biden do të mbajë të martën një fjalim në Poloni, ku do të përsërisë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën për sa kohë që do të nevojitet. Fjalimi presidentit mbahet vetëm pak ditë para përvjetorit të parë të sulmit rus në Ukrainë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, presidenti do ta mbajë këtë fjalim megjithë në zbehje të mbështetjes nga ana e republikanëve për Kievin, por edhe një zbutje të mbështetjes së përgjithshme mes popullatës amerikane që po i mëshon nevojës për arritjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur.

Presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë një fjalim të martën në Poloni ndërsa afron përvjetori i parë i sulmit rus në Ukrainë.

“Presidenti Biden do bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës për sa kohë që do të jetë e nevojshme, siç e keni dëgjuar ta thotë disa herë. Më pas, të mërkurën, Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësit e nëntë vendeve të grupit të Bukureshtit, njohur ndryshe si B9-ta”, tha zoti Kirby.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka plane që zoti Biden të vizitojë Ukrainën, apo që gjatë këtij udhëtimi të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por vëzhguesit thonë se ekziston mundësia që ata të takohen në Poloni. Herën e fundit ata janë takuar në dhjetor kur zoti Zelensky bëri një vizitë të paparalajmëruar në Uashington.

Vëzhguesit thonë se Moska po e shndërron konfliktin në një luftë degradimi gradual, me synimin për të dobësuar vendosmërinë ukrainase dhe durimin e Perëndimit.

Ukraina ka avantazhin e armatimeve të teknologjisë së lartë perëndimore, por Rusia po përfiton nga përmasat e mëdha të ekonomisë së saj, burimet njerëzore dhe kapacitetet e prodhimit në fushën e mbrojtjes.

“Po përpiqemi në thelb të arrijmë një balancë duke u dhënë ukrainasve mbështetje të mjaftueshme ushtarake që të mund ta sjellin këtë luftë në një përfundim të suksesshëm. Por, kjo duhet arritur duke mos e shtuar rrezikun për një Luftë të Tretë Botërore, siç thotë dhe Presidenti Biden. Nuk është balancë e lehtë për t’u arritur”, thotë George Beebe, nga Insituti “Quincy”.

Megjithëse ka ende mbështetje të gjerë për Ukrainën në Kongres, disa ligjvënës republikanë, partia e të cilëve tashmë ka një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, po ngrenë pikëpyetje mbi fondet e mëdha që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të dërgojnë drejt Kievit – 40 miliardë dollarë në ndihma sigurie, ekonomike dhe humanitare që nga fillimi i sulmit rus.

“Lufta po bëhet me shpatullat e taksapaguesve amerikanë. Dhe cili është plani ynë zoti president? A është një luftë pa fund? A do të vazhdojmë të dërgojmë armatime që nuk dimë se ku shkojnë saktësisht, apo se si do të përdoren? Deri kur?”, i tha Zërit të Amerikës Ligjvënësi republikan Ryan Zinke.

Anketimet tregojnë se gati gjysma e amerikanëve tashmë thonë se Uashingtoni duhet t’i bëjë thirrje Kievit për arritjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: