Presidenti amerikan, Joe Biden, zbuloi gjatë një konference nga Shtëpia e Bardhë bisedën që ka bërë me homologun e tij të Afganistanit, Ashraf Ghani, një ditë pasi militantët talebanë morën kontrollin e vendit.

Biden është shprehur se qeveria afgane nuk e ka dëgjuar këshillën e tij, duke mos negociuar për një zgjidhje politike me talebanët.

Në fjalën e tij, Biden theksoi se “z.Ghan këmbënguli se forcat afgane do të luftonin, por rezultoi që ai kishte gabuar”.

Presidenti amerikan u shpreh se i qëndron vendimit të tij, për t’i tërhequr pas 20 vitesh trupat amerikane nga Afganistani. “Unë i qëndroj plotësisht vendimit tim“, tha Biden.

Presidenti i SHBA-ve theksoi se nuk ka qenë kurrë një kohë e mirë për t’u tërhequr, ndërsa theksoi se marrëveshja me presidentin Trump me talebanët e zvogëloi praninë e trupave amerikane në vend nga 15 mijë e 500 ushtarë në 2 mijë e 500.

Ai theksoi se marrëveshja e Trump me talebanët, detyroi që deri me 1 maj të largoheshin trupat ushtarake amerikane nga Afganistani.

“Talebanët ishin më të fortë ushtarakisht që nga viti 2001″, u shpreh ai.

“Zgjedhja që duhej të bëja si presidenti juaj ishte ose të zbatoja atë marrëveshje, ose të isha gati të kthehesha në luftë kundër talebanëve“.

Sipas tij, nuk ekzistonte asnjë marrëveshje pas datës 1 maj për të mbrojtur trupat amerikane nga talebanët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb