TIRANE- Presidenti francez, François Hollande pritet të zhvillojë në fillim të marsit një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të Presidentit Bujar Nishani.

Mediat, që i referohen burimeve zyrtare nga presidenca shqiptare, pohojnë se gjatë kësaj vizite, e para e një presidenti francez në vendin tonë, Hollande pritet të takohet me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.

Sipas mediave në fokus të axhendës së diskutimeve do të jenë temat më të nxehta të sigurisë globale. Po ashtu, mësohet se në takimin me presidentin francez, dy homologët do të diskutojnë për marrëdhëniet mes dy vendeve e të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Vizita e Presidentit Hollande në Shqipëri, bëhet vetëm pak kohë para përfundimit të mandatit të Bujar Nishanit në krye të shtetit shqiptar.

Ndërkohë mësohet se presidenti Hollande gjatë vizitës në Tiranë do të takohet me kryeministrin Edi Rama si dhe me krerë të politikës në Shqipëri./ATA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb