Mbështetja për presidentin Frank-Walter Steinmeier që të rizgjidhet në këtë post po rritet. Steinmeier ka siguruar deri tani mbështetjen e gati të gjitha partive parlamentare.

Rreth gjashtë javë para marrjes së vendimit se kush do të jetë president i Gjermanisë në pesë vitet e ardhshme, Presidenti aktual Frank-Walter Steinmeier ka sigurur një mbështetje të gjerë të partive parlamentare. Pasi partitë e koalicionit SPD, FDP dhe të Gjelbrit vendosën që ta mbështesin kandidaturën e tij, tani edhe liderët e partive opozitare CDU dhe CSU, kanë rënë dakord ta mbështesin kandidaturën e Frank-Walter Steinmeierit.

Pas një takimi të përbashkët të partive simotra, u rekomandua që përfaqësuesit e Unionit në Asamblenë Federale të votojnë Steinmeierin edhe për një mandat pesëvjeçar.
Steinmeier i mbush 66 vjeç këtë të mërkurë. Steinmeier ka lindur në Detmold, ndërsa në vitin 2017 është zgjedhur në mandatin e parë si President. Partitë CDU dhe CSU kanë vendosur të heqin dorë nga kandidati i tyre për këtë post.

Kryetari në largim i CDU-së Armin Laschet tha në Berlin se aktualisht po përjetojmë kohëra të përçarjeve në debatin për pandeminë Corona. Veçanërisht në këto kohëra nevojitet një “zë i besueshëm” në krye të shtetit që bashkon njerëzit dhe bashkon këndvështrime të ndryshme. Vendi ka nevojë për një president që i bashkon të gjithë, për një figurë integruese.

Steinmeier ka një nivel të lartë njohurish në politikën e brendshme dhe kompetencë të veçantë për politikën e jashtme. Steinmeier e ka ushtruar mirë këtë detyrë në pesë vitetet e kaluara, nënvizoi Laschet pas këshillimeve të kryesive të partive CDU dhe CSU.

Kandidaturën e Steinmeierit e ka mbështetur edhe kreu i partisë CSU Markus Söder, i cili tha se Presidneti ka dëshmuar se është i paanshëm dhe një figurë integruese.

Wüst: “Ky post meriton respekt”
Të martën, kryeministri i landit Renania Veriore Vestfalia Hendrik Wüst e ka mbështetur kandidaturën e politikanit të SPD Steinmeier. “Zyra e Presidentit federal meriton respekt. Nga kjo përgjegjësi politike shtetërore unë personalisht do të mbështes Frank-Walter Steinmeierin për një mandat të dytë”, tha politikani i partisë opozitare CDU.

Në dhjetor të vitit të kaluar Wüst ka bërë thirrje që Unioni CDU/CSU të ketë kandidatin e vet për president. Por ai ka ndryshuar mendjen. Tani kreu i qeverisë së NRW tha: “Unë e kam bërë gjithmonë të qartë se nuk mund të ketë kandidaturë nëse nuk ekziston shumica. Kjo vetëm do të dëmtonte dëshirën për më shumë gra në zyrat më të larta shtetërore, pas largimit të kancelares Angela Merkel.”

Mbështetje edhe nga ekologjistët
Pas SPD dhe FDP edhe të Gjelbrit e mbështetën kandidatuarën e Steinmeierit. SPD, të Gjelbrit dhe FDP së bashku kanë 776 nga 1472 anëtarët e Asamblesë së përgjithshme federale. Kjo është 39 vota më shumë sesa kërkohet në votimin e parë dhe të dytë për zgjedhjet e presidentit.

CDU dhe CSU e kanë mbështetur socialdemokratin Steinmeier edhe në mandatin e kaluar. Por asokohe Steinmeier ishte kandidat i koalicionit të madh, pra Unionit dhe SPD. Para zgjedhjes President Federal, Steinmeier ka qenë ndër tjera edhe ministër i Jashtëm, kandidat i SPD-së për kancelar dhe udhëheqës i grupit parlamentar të SPD-së.

AfD do të ketë kandidatin e vet
Partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermani (AfD) pritet të ketë sërish kandidatin e saj në zgjedhjet presidenciale. Jemi duke diskutuar për këtë mundësi, tha një zëdhënës i partisë. Por akoma nuk ka ndonjë vendim se kush do të kandidojë në emër të AfD për postin më të lartë në vend. Kjo pritet të vendoset të hënën tjetër në një takim të krerëve të partisë./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb