Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka uruar Shqipërinë për 111 vjetorin. Në një mesazh të publikuar në Website-n zyrtar të FFK, Ademi shkruan se sot duhet të festojnë të gjithë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi, Luginë të Preshevës, Çamëri, Evropë e SHBA dhe kudo ku frymon gjuha shqipe.

Mesazhi:

Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore;
Familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare;
Të dashur drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;
Të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkëkombës kudo që jetoni!

Whatsapp Image 2023 11 27 At 16.37.00
Whatsapp Image 2023 11 27 At 16.37.00

Sot festojmë 28 Nëntorin, një nga datat më të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Dita e Flamurit është festa që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Në këtë festë ndjejmë krenari dhe njëherësh kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që luftuan ndër shekuj për ruajtjen e indentitetit shqiptar dhe krijimin e lirisë dhe pavarësisë sonë.

Sot shqiptarët festojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi, Luginë të Preshevës, Çamëri, Evropë e SHBA dhe kudo ku frymon gjuha shqipe.

Në këtë ditë festojmë edhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së në vitin 1997!

Kësaj dite të madhe të kombit shqiptar sivjet i parapriu festa e madhe e kualifikimit të Kombëtares së Shqipërisë në Euro 2024, duke na bërë krenar të gjithëve. Për herë të dytë në histori flamuri kuqezi, për të cilin u derdh shumë gjak ndër shekuj, do të valvitet e do të na përfaqësojë në festivalin e futbollit evropian në Gjermani.

Duke ju uruar përzemërsisht të gjithëve 28 Nëntorin, shpresoj që si komb do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në realizimin e aspiratave tona, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të jemi bashkë pjesë e Bashkimit Evropian.

Lavdi e përjetshme për të gjithë heronjtë dhe veprimtarët që luftuan e punuan për lirinë e popullit shqiptar!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: