Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës,Agim Ademi, po qëndron në Doha të Katarit, ku po merr pjesë në një sërë aktivitetesh të rëndësishme të organizuara nga FIFA.
Në kuadër të këtij qëndrimi, presidenti Ademi u takua me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, me të cilin zhvilloi një bisedë konstruktive lidhur me zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe projektet strategjike që FFK synon t’i realizojë në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit me FIFA-n dhe UEFA-n, me qëllim të rritjes së standardeve, krijimit të mundësive të reja dhe mbështetjes së talenteve të reja kosovare.
Po ashtu, në Doha u mbajt mbledhja e parë inauguruese e Komitetit për Marrëdhënie Institucionale të FIFA-s, ku presidenti Ademi mori pjesë si anëtar i këtij organi të rëndësishëm me mandat katërvjeçar. Angazhimi i tij në këtë komitet përbën një vlerësim të rëndësishëm për Kosovën dhe futbollin e saj, duke forcuar më tej praninë dhe zërin e FFK-së në mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë.
Presidenti Ademi ka shprehur përkushtimin e tij për të dhënë kontribut maksimal, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm të futbollit dhe krijimit të kushteve sa më të mira për brezat e rinj.
Sonte në mbrëmje, presidenti i FFK-së do të marrë pjesë edhe në ceremoninë prestigjioze “The Best” të FIFA-s, një gala ku nderohen më të mirët e futbollit botëror dhe që mbledh rreth 800 të ftuar nga mbarë bota e futbollit, përfshirë presidentin e FIFA-s, drejtues federatash e klubesh, si dhe legjenda të këtij sporti.
Ndërkohë, nesër presidenti Ademi do të ndjek nga afër edhe finalen e Kupës Interkontinentale ndërmjet PSG-së dhe Flamengos.
