Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, raportohet se ka pësuar lëndime të lehta gjatë një prej sulmeve izraelite ndaj Iranit muajin e kaluar, sipas agjencisë shtetërore iraniane Fars, e afërt me Gardën Revolucionare.

Sipas raportimit, më 16 qershor, gjashtë bomba goditën pikat hyrëse dhe dalëse të një objekti sekret nëntokësor në Teheran, ku Pezeshkian po merrte pjesë në një takim urgjent të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.

Thuhet se presidenti pësoi lëndime në këmbë teksa ai dhe zyrtarë të tjerë shpëtuan përmes një daljeje emergjente. Ndërkohë, autoritetet iraniane thuhet se po hetojnë për infiltrime të mundshme nga agjentë izraelitë.

Ky raport nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe Izraeli nuk ka dhënë ndonjë koment zyrtar mbi pretendimet.

Gjatë luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, në rrjetet sociale u shpërndanë pamje të sulmeve të përsëritura ajrore në një anë mali në veriperëndim të Teheranit. Tani është bërë e ditur se në ditën e katërt të konfliktit, objektivi i sulmeve ishte një strukturë sekrete nëntokësore ku ndodheshin udhëheqësit më të lartë të Iranit.

Raporti i Fars thotë se sulmet izraelite bllokuan të gjitha gjashtë pikat e hyrjes dhe daljeve, si dhe sistemin e ventilimit. Energjia elektrike e objektit u ndërpre gjithashtu, por presidenti arriti të largohej i sigurt.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare është organi më i lartë vendimmarrës në Iran pas Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Javën e kaluar, Pezeshkian akuzoi publikisht Izraelin për përpjekje për ta vrarë, pretendim që u mohua nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se “ndryshimi i regjimit” nuk ishte qëllimi i luftës.

Qysh në fillim të konfliktit, Izraeli eliminoi një numër të madh komandantësh të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe ushtrisë iraniane. Udhëheqësit iranianë e pranuan se u zunë të papërgatitur dhe vendimmarrja u paralizua për të paktën 24 orë pas sulmit të parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb