Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, tha se stërvitjet ushtarake amerikane në vendin e tij nuk ishin një “akt armiqësor kundër Venezuelës “.
Trupat amerikane kanë kryer këtë vit ushtrime mbijetese dhe taktikash luftimi në xhunglën Darien në kufirin me Kolumbinë dhe në një bazë policore në bregdetin e Karaibeve. Ushtrimet vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një prani të fortë ushtarake në Karaibe, me qëllimin e deklaruar për të luftuar kartelet e drogës. Por qeveria e Venezuelës thotë se ato janë pjesë e një strategjie për të rrëzuar Presidentin Nicolas Maduro.
“Panamaja nuk e dorëzon territorin e saj për asnjë lloj akti armiqësor kundër Venezuelës apo ndonjë vendi tjetër në botë”, theksoi Presidenti Molino në konferencën e tij javore për shtyp.
Në prill, Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që lejon vendosjen e forcave ushtarake amerikane rreth Kanalit të Panamasë, pas presionit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Marrëveshja u lejon Shteteve të Bashkuara të përdorin bazat ajrore dhe detare panameze për të kryer “ushtrime” gjatë tre viteve të ardhshme.
“Nuk ka asnjë lloj pranie ushtarake që nuk është autorizuar nga Panamaja”, sqaroi Presidenti José Raúl Molino.
