Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i ka dhënë mandatin liderit të opozitës, Gadi Eisenkot, për të formuar qeverinë e re të vendit.

Gjatë ceremonisë zyrtare në Rezidencën Presidenciale, Herzog i kërkoi Eisenkotit të bëjë gjithçka që ka në dorë për të krijuar një qeveri që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Izraelit. Ai shprehu gjithashtu shpresën që qeveria e re të kontribuojë në bashkimin e vendit, forcimin e lidhjeve mes qytetarëve dhe ndalimin e përçarjeve në shoqëri.

Nga ana e tij, Eisenkot u shpreh se e merr këtë përgjegjësi me një ndjenjë të thellë pwrgjegjwsie, duke theksuar se është i vetëdijshëm për peshën e madhe të detyrës që ka përpara.

Ish-shefi i ushtrisë izraelite e cilësoi situatën aktuale si një periudhë të vështirë dhe vendimtare për vendin, ndërsa theksoi se Izraeli ndodhet në një gjendje emergjence. Sipas tij, frontet e luftës mbeten të hapura, ndërsa vendi po përballet njëkohësisht edhe me një krizë të rëndë diplomatike.

Eisenkot deklaroi se me mandatin e marrë do të angazhohet për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, e cila do të përballet me sfidat e vendit.

Ai paralajmëroi se për realizimin e këtij objektivi do të nevojiten lëvizje politike krijuese dhe të jashtëzakonshme, duke nënvizuar se Izraeli nuk ka luksin të humbasë kohë apo të përfshihet në raunde të pafundme zgjedhjesh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb