Presidenti Ilir Meta që iu rikthye sot konferencave të përjavshme të ditës së premte, risolli në publik tonet e ashpra dhe mesazhet e qarta drejtuar qeverisë.

Meta u shpreh se ishte pro listave të hapura në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa i kujtoi qeverisë të mos pengonte forcat e tjera politike të hapnin listat.
Në rast se një gjë e tillë ndodh, tha Kreu i Shtetit, vendi është para veprimeve antikushtetuese, siç i quajti ai ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës për reformën zgjedhore. Kjo situatë sipas tij është e ngjashme me një grusht shteti, duke shtuar se sipër saj qëndron grushti i popullit.

“Për zgjedhjet për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative dhe një e ardhme e qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe i ka larguar më shumë nga vendi. Para pak ditësh lexova një artikull dramatik se në Shqipëri po ikin më shumë njerëz tani se në vitet ‘90.

Kërkoj t’i qendrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat. Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, është më i madh grushti i popullit”,- u shpreh Meta.

Meta po ashtu i qëndroi premtimit të tij se do vijojë të jetë President der në 24 korrik 2022.

“Unë prej kohësh kam qënë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve që zgjidhin krizat e institucioneve të lija edhe postin vetëm që të gjendet zgjidhje për vendin pa parë interesat personale dhe karrierën time. Dua t’ju siguroj se gjëja më e rëndësishme është garantimi i zgjedhje të 25 prillit, në të gjitha rastet premtimin që kam bërë do e mbaj, deri nmë 24 korrik 2022 Presidenca do jetë kështjellë e pamposhtur e ruajtjes së Kushtetutës. Këtu do ta mbaj me të gjitha mënyrat. Ky nuk është problemi i vetëm. Ky institucion e ka mbrojtur Kushtetutën në mënyrën më të vendosur, që vendi të mos përplaset në fund të greminës edhe pse e ka marrë tatpjetën, mjafton fakti që shtohen kushtet për integrimin. Kjo nuk është përgjegjësi e Presidentit është e qartë se kujt i takon përgjegjësia”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: