Presidenti i Pakistani, Arif Alvi, ka deklaruar se vendi i tij vlerëson shumë lartë lidhjet me Turqinë pasi dy kombet gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyer.

Duke folur me kreun e parlamentit turk, Mustafa Şentop, i cili qëndron për vizitë në Islamabad, presidenti Alvi tha se marrëdhëniet midis Pakistanit dhe Turqisë bazohen në lidhje fetare dhe kulturore, përveç unanimitetit të pikëpamjeve mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke përshëndetur kryeparlamentarin turk, presidenti pakistanez tha se marrëdhëniet Pakistan-Turqi janë institucionalizur në formën e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Strategjik.

Duke kujtuar vizitën e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Islamabad në muajin shkurt të vitit 2020, Alvi tha se ishte një manifestim i një dëshire të përbashkët për të shndërruar marrëdhëniet dypalëshe në një partneritet strategjik.

Ai theksoi nevojën për një bashkëpunim të zgjeruar politik dhe ekonomik për përfitime reciproke të të dy palëve.

Duke shprehur mirënjohjen e tij për Turqinë për mbështetjen e saj të palëkundur për Kashmirin, presidenti pakistanez tha se populli i Pakistanit është shumë mirënjohës për udhëheqjen e Turqisë për mbështetjen e qëndrimit parimor të Pakistanit në rajonin e diskutueshëm në forume ndërkombëtare.

Ai po ashtu pranoi se Turqia ka qenë në ballë të përpjekjeve globale për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), duke ofruar ndihmë për vendet, përfshirë për Pakistanin.

Kreu i parlamentit turk falënderoi qeverinë e Pakistanit për një pritje të ngrohtë, si dhe përcolli përshëndetjet e sinqerta të lidershipit dhe popullit të Turqisë për qeverinë dhe popullin e Pakistanit.

Duke iu referuar fjalimit të presidentit turk në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në seancën e përbashkët të parlamentit pakistanez, ku ai ngriti zërin në mbështetjen e popullit të Kashmirit, Şentop tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë qëndrimin e Pakistanit ndaj Kashmirit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb