Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e shpërbleu me një dekoratë shtetërore kongresisten Claudia Tenney, bashkëkryetaren e Grupit Parlamentar Serb në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të mërkurën në Beograd.

Në një ceremoni në zyrën e presidentit, presidenti serb deklaroi se Tenney u dekorua me “Urdhrin e Flamurit Serb, për shërbimet e saj në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Zonja Tenney ishte me ne në disa nga momentet më të vështira për vendin tonë. Ajo ishte një nga të paktat që donte të fliste me ne kur pak të tjerë donin. Ajo është një person që, pavarësisht presioneve të shumta me të cilat u përball në zonën e saj zgjedhore, gjithmonë ruajti dhe kultivoi miqësinë ndaj vendit tonë”, tha Vuçiq.

Ai e falënderoi veçanërisht atë “për kritikën e saj të guximshme ndaj veprimeve të njëanshme” të Qeverisë së Kosovës.

Në fjalën e saj pasi iu dha dekorata shtetërore, Claudia Tenney tha se lidhjet e saj me këtë rajon datojnë që nga fillimi i viteve ‘80, kur ajo ishte studente në Beograd, në Jugosllavinë e atëhershme.

Claudia Tenney konsiderohet politikane besnike ndaj presidentit Trump. Ajo gjithashtu kërkoi të provonte besnikërinë e saj ndaj tij duke propozuar që festa kombëtare, Dita e Flamurit, të kombinohej me ditëlindjen e Trumpit.

67739aca 19bb 490d Be27 08dd9da6db9b W650 R0 S

“Ashtu si ditëlindja e George Washington është kodifikuar si një festë federale, ashtu duhet të festohet edhe ditëlindja e presidentit Trump për ta njohur atë si themeluesin e epokës së artë të Amerikës”, shkroi Tenney në mediat sociale X në shkurt 2025.

Si anëtare e Kongresit, ajo votoi dy herë kundër formimit të një komisioni të pavarur për të hetuar sulmin në Kapitol më 6 janar 2021, kur mbështetësit e Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit.

Një vit pas ngjarjes, Claudia Tenney tha se “ajo gjithmonë e ka dënuar shkatërrimin e pronës dhe abuzimin me të drejtën për tubim paqësor”. Megjithatë, ajo shtoi se demokratët në Kongres nuk po përpiqeshin të forconin sigurinë në Kapitol, por se fokusi i tyre ishte “në ndjekjen penale të ish-Presidentit Donald Trump dhe shpifjen e miliona amerikanëve që kanë shqetësime legjitime në lidhje me integritetin e zgjedhjeve”.

Ajo ishte cak e kritikave të shumta pas një deklarate të diskutueshme në shkurt 2018, kur tha se “shumë vrasës masivë përfundojnë duke qenë votues demokratë”.

Kur gazetarët e pyetën nëse do ta tërhiqte atë deklaratë, Claudia Teni nuk e tërhoqi qëndrimin e saj./REL

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb