Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, presidenti Thaçi tha se “pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”, tha presidenti Thaçi.

Zyrtarë të lartë serbë kane hedhur idenë e ndarjes tokësore të Kosovës, që nënkupton shkëputjen e veriut të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare ne jug të Serbisë.

Presidenti Thaçi tha se “nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve”, por pa e saktësuar nëse kjo nënkupton edhe ndryshimin e kufijve ne veriun e Kosovës.

“Ndërkombëtarët janë duke na dëgjuar, ndërkombëtarët janë duke lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi – Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlerësoj se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë… nëse kjo marrëveshje është e vullnetit të dyanshëm të palëve dhe një marrëveshje e balancuar, që nënkupton ‘win-win’ për të dyja palët, atëherë askush nuk mund të jetë kundër”, tha ai për agjencinë e lajme AP.

Në Shkup ndërkohë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Matthew Palmer, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përkatësisht ndërmjet presidentëve (Aleksandër) Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb