Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, bëri një analizë mbi gjendjen aktuale politike në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend që po përjeton një autokraci të plotë.

Abilekaj tha se në këtë situatë, ata që janë shtypur politikisht duhet të kenë kujdes me etikën dhe të pranojnë fatin e tyre, pa u ankuar apo sharë publikisht.

“Jemi në fazën ku kanë pranuar se jetojmë në autokraci të plotë dhe ata që shtypen duhet të kenë kujdes me etikën dhe të pranojnë fatin e tyre pa sharë. Një opozitë që dhunohet por nuk duhet të bërtasë kur dhunohet,” u shpreh gazetari.

Ai theksoi se Parlamenti është në një fazë shumë të rëndë, madje në fundin e ekzistencës së tij si institucion demokratik.

“Jemi në fazën e fundit fare të ekzistencës së Parlamentit. Ata që bëjnë si trima si Niko Peleshi, bashkë me Bajram Begajn që i thonë ‘largqoftë president’, i shërbejnë paturp një pushteti absolut që ngjan gjithnjë e më shumë me atë diktaturën që kemi lënë pas,” tha Abilekaj.

Gazetari kritikoi edhe Presidentin e Republikës, duke e përshkruar atë si një figurë që është keqpërdorur dhe përdor si mashë nga pushteti, duke shkelur Kushtetutën me veprimet e tij.

“Presidenti që dërgon në Gjykatën Kushtetuese disa shkresa të rëndësishme, t’i thuash president këtij është turp. Ai ka shkelur rëndë Kushtetutën kur ka dekretuar zgjedhjet në Tiranë, ndërkohë që nuk kishte vakancë në bashki, pasi Erion Veliaj ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese,” tha Abilekaj, duke shtuar se:

“Në momentin që Gjykata Kushtetuese pranon padinë e Veliajt dhe sqaron arsyen, Presidenti nuk mund të thotë që kjo i takon gjykatës administrative. Këtë e cakton gjykata, jo Presidenti.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb