Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që thotë se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriteshin nëse këto pagesa nuk do të kryheshin.

“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga sot,” tha Putin në një deklaratë televizive.

“Nëse pagesat e tilla nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një falimentim nga ana e blerësve, me të gjitha pasojat që pasojnë. Askush nuk na shet asgjë falas, dhe ne nuk do të bëjmë as bamirësi, tha Putin.

Vendimi i Putinit për të zbatuar pagesat me rubla për gazin e ka rritur monedhën ruse, e cila ra në nivelet më të ulëta historike kur SHBA dhe aleatët e saj evropianë aplikuan sanksione gjithëpërfshirëse pasi ai dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë më 24 shkurt.

Por kompanitë dhe qeveritë e huaja e kanë refuzuar këtë veprim si shkelje të kontratave ekzistuese, të cilat janë vendosur në euro ose dollarë amerikanë.

Vendet evropiane, disa prej të cilave mbështeten shumë në gazin rus, e kanë refuzuar kërkesën dhe qeveria gjermane tha se ajo përbënte “shantazh”.

Putin tha se ndryshimi kishte për qëllim forcimin e sovranitetit të Rusisë dhe se ajo do t’i përmbahej detyrimeve të saj në të gjitha kontratat.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se masa ishte një shenjë e “dëshpërimit” ekonomik dhe financiar të Moskës të shkaktuar nga sanksionet perëndimore.

“Unë mendoj se në thelb ky është vetëm një tregues tjetër i gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet ekonomia e Rusisë,” u tha gazetarëve zëdhënësi Ned Price në një konferencë për media, duke shtuar se u takon vendeve evropiane të përcaktojnë reagimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb