Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i bashkohet deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe rithekson mbështetjen e plotë për integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnje e Hercegovinës.

“Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm çdo veprim që minon themelet e Bosnje e Hercegovinës, sepse kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar palodhshëm për ta arritur—përmes sakrificave shumëvjeçare dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, shkroi Osmani në X të dielën.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha të shtunën se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinë si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska, entiteti serb i Bosnjës të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Por më 7 mars Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb