Kategoria e Tretë ka ulur siparin dje me ndeshjet e javës së 14-të, ku në përfundim të tyre janë mësuar edhe verdiktet e këtij sezoni. Nëse Memaliaj e kishte siguruar ngjitjen nga Grupi B në Kategorinë e Dytë, dje ka qenë radha e Basanias për të siguruar pjesëmarrjen një kategori më lart në sezonin 2024- 2025.

Skuadra shkodrane, me fitoren 2-1 ndaj Arnisës, e mbylli në vend të parë me 30 pikë, po aq sa Eagles, por Basania kalon direkt falë bilancit më të mirë me rivalin e vendit të dytë. Kështu që të dytat e grupeve, Eagles dhe Albpetrol, luajnë në “play off” mes tyre dhe fituesi i këtij çifti do të diskutojë mundësinë e ngjitjes në një ndeshje finale me fituesin e sfidës mes Maliqit dhe Albanëve, që luajnë “play out”- in e Kategorisë së Dytë.

PRESTIGE- Skuadra e Prestige debutimin në Kategorinë e Tretë e mbylli me fitore, ku në javën e fundit mundi Përmetin në transfertë në shifrat 3-0. Ky sukses i kryeqytetasve u vendos tra tregolëshi i sulmuesit Abdulamlek Zrimeh. Golin e parë sulmuesi libian e shënoi në minutën e 11-të. Në minutën e 20-të Hysko gjuan nga pika e bardhë, por topi i goditur prej tij ndalet në shtyllë, por fatmirësisht “sfera” e kthyer përfundon te Zrimeh, i cili me siguri e dërgon në rrjetë dhe 2-0 me Prestige. Skuadra e trajnerit Dulo dominon në çdo aspekt dhe në shifrat 2-0 u mbyllën 45 minutat e para.

Edhe fraksioni i dytë është në komandën e Prestige, që në minutën e 68-të shënon edhe golin e tretë me libianin Zrimeh që vulos Shifrat në 3- 0. Ndonëse luanin për herë të parë në Kategorinë e Tretë, Prestige bëri një paraqitje dinjitoze, pasi sezonin e mbyllën vetëm 2 pikë larg Basanias që u ngjit në Kategorinë e Dytë. Te Prestige peshojnë disa humbje të befasishme në fazën e dytë, por mbase ajo që rëndoi më shumë për fatet e sezonit ishte disfata e fazës së parë me Përmetin, pasi nga 2-0 u përmbysën në shifrat 3-2, ku humbën edhe një penallti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb