TIRANË- Janë prezantuar sot në Tiranë dy projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e parkut olimpik dhe kopshtin zoologjik.

Kryeministri Edi Rama theksoi se ashtu si kopshti zoologjik i kryeqytetit edhe sporti ishte lënë në harresë. “Gjetëm një situatë si te kopshti zoologjik për sportin. Siç ata mbajnë tre pula dhe i vënë emrin galina vulgari jeton katër vjet. I kemi trajtuar sportistët elitar njëlloj si ujku i kopshtit zoologjik. Nuk e di me çfarë e ushqejnë ujkun nuk e di nëse i japin mish përditë. Kur i bënë luanët të hanin karota nuk është çudi që ta bëjnë ujkun të hajë bar këta.

Kombinimi i këtij projekti me projektin e kopshtit zoologjik dhe parkut të Tiranës që për ne nuk është thjesht parku i liqenit por parku i integruar. Kemi bërë një konkurs për gjithë parkun e liqenit artificial. do integrojmë kopshtin zoologjik me kopshtin botanik”- u shpreh Rama.

Ai premtoi se krijimi i Parkut Olimpik do të ofrojë ambiente dinjitoze për të gjitha kategoritë e sportit. “Jam i kënaqur se sot bëjmë një hap të rëndësishëm në drejtimin duhur për sportin por nga pikëpamja personale ndihem më mirë se dje edhe pse nuk jam aktiv në fushën e antagonizmit sportiv vazhdojnë të jenë aktiv për të dhënë eksperiencën e tyre tek të rinjtë. Sporti është lënë tërësisht në harresë për vite të tëra. Po mos ishte kombëtarja e futbollit dhe FSHF do dukej sikur në Shqipëri nuk kishte sport fare. Sot i hapim rrugë një projekti kompleks që transformon këtë territor të rrënuar dhe braktisur në një hapësirtë sportive të rilindur ku do ketë vend për shumë kategori sportistësh dhe federatat e shumë sportshit të cilat kanë 25 vjet që mbijetojnë nëpër skuta të mbetura që nga koha e vjetër dhe skanë asnjë zyrë dinjitoze jo më hapësira ku të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre.”- u shpreh Rama.

Më tej kryeministri theksoi se në këtë kompleks të gjitha federatat shumsportëshe do kenë hapësirën e tyre. “Nuk do kemi vetëm FSHF por edhe federatat e shumësportëshit dhe komitetin olimpik. Do ketë hapësirë dinjitoze për kampionët e peshëngritjes dhe mundjes që kanë kanë arritur rezultate të larta por në shekullin e 21 stërviten më keq se në të shkuarën.

Do kemi sallë të re për lojërat me dorë. Universitetet të kenë skuadrat e tyre. Ti japim sportit rëndësinë që ka në jetën komunitare dhe të përfitojmë nga vlerat e paçmuara që krijon sporti. Niçja thotë; “Njeriu është i lumtur vetëm kur luan”, dhe nëse i referohemi kësaj fjalë këtu nuk ka njerëz të lumtur duke filluar nga fëmijët e vegjël që nuk kanë ku të luajnë. Kemi bërë investime më shumë se në 20 vjet pa hyrë në konkurrencë me FSHF. Kemi transformuar sëbashku një stadium dhe po ndërtojmë një stadium krejt të ri në Shkodër.

Shumë njerëz thonë ç’është kjo punë kujt i duhen stadiumet….është e provuar historikisht dhe provohet statistikisht nga ecuria e vendeve të tjera që sa më shumë një vend investon në sport aq më shumë në atë vend investohet për shëndetin kulturën sociale dhe qytetarinë dhe të jetuarit sëbashku në komunitet. Jam i bindur që ky projekt do jetë kur të realizohet një gur i rëndë themeli për këtë kapitull të ri që kemi hapur për sportin. Kemi 44 terrene të reja sportive sot të ndërtuara brenda 18 muajve. Do vazhdojmë çdo vit të rrisim financimin dhe numrin terreneve sportive në çdo pjesë të Shqipërisë. Projekti i shtrirjes së aktivitetit sportiv në çdo shkollë është një projekt që do marrë jetë tërësisht pasi në 21 qershor qytetarët e Tiranës të kenë votuar Erion Velinë.”-u shpreh Rama.

Kreu i Ekzekutivit tha se do bëhet më shumë punë për Tiranën sesa në kohën kur ishte ai në drejtim të këtij institucioni.

“Ka një konflikt të madh të komunitetit, që është kthyer në konfliktin e qytetarëve të vendit me idenë e ndërtimit të disa ngrehinave gjigande. 4 vite më parë kryetari i sotme i bashkisë, doli diku këtu afër dhe premtoi se do ta bënte ketë vend në hapësirë të gjelbër. Por pasi u betua se kurrë asnjëherë nuk do të jepte leje për ato ngrehinat që kanë çelur më shumë se gropat e Hajdin Sejdisë, bëri një gropë më të madhe se aq. Kur isha unë në bashki kemi pasur një projekt për ndërtime, por jo si këto projekte si ajo e gropës tani. Kjo është e kaluara, dhe e sotmja është këtu për të konfirmuar vullnetin tonë absolut dhe ta bëjmë Tiranën më të mirë. Duam të theksoj se historia e shkëlqimit të Tiranës që u lidh me emrin tim, është një e vërtetë tjetër. Dua të them se kush ja lë qytetin demokratëve në dorë shkatërrohet, e kush ja lë partisë Socialiste do rregullohet. Jam i bindur se ne Socialistet dhe progresistet, me kryetarët e bashkive, do të bëjmë për Tiranën shumë më tepër se kur u bë kur isha unë kryetar bashkie.”, tha Rama.

Më tej ai shtoi se për të arritur këtë rezultat duhet kontributi i të gjithëve, ndërsa theksoi se ‘në këtë proces na duhen të duhen të gjithë. Na duhet dhe Halimi.’

Kryeministri Rama i bëri thirrje edhe një herë grave dhe vajzave në kryeqytet që me votën e 21 qershorit të bëjnë një rrugë e dy punë, të fitojnë një kryetar bashkie që duhet të jetë Erion Veliaj dhe një gjinekolog, Halim Kosova.

“Do bëjmë për Tiranë me Erionin dhe me skuadrën e tij shumë më shumë në çdo komunitet dhe çdo drejtim. Në këtë proces na duhen të duhen të gjithë. Na duhet dhe Halimi. Ndaj përsëris se jemi në 21 në kushtet kur çdo pune ti gjejmë njeriun e duhur. Duke votuar për Erionin për kryetar bashkie, i gjejmë njeriun e duhur vendin e lënë bosh në maternitet. Këtë do e kanë parasysh shumë gra të Tiranës, nënat që e dinë sesa e rëndësishme është i paharrueshme momenti i lindjes, pa dallime partiake. Gratë duhet të votojnë Erionin, në mënyrë që të mbështesin dhe Kosovën, nga një anë të japin Tiranës njeriun që i duhet, Erionin Velija dhe t’i kthejnë maternitetit Halim Kosovën, gjinekologun. Kjo është një votë, dy punë; të dyja në drejtimin e duhur. Jam i bindur, me mençurinë e tyre, të gjitha nënat në Tiranë do e marrin dhe kuptojnë këtë mesazh. Bëjnë gjynah që t’i japin Halimit votë për kryetar bashkie. Vendi i tij është atje, bosh, pasi nuk e zëvendëson dot njeri. Do kemi një kryetar bashkie, si Erioni dhe një gjinekolog për nenat dhe vajzat, Kosovën.”, përfundoi fjalën e tij Rama.

VELIAJ: KONKURS NDËRKOMBËTAR PËR PROJEKTIN MË TË MIRË
Fillimisht Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka folur për parkun olimpik duke e vënë theksin në strategjinë kombëtare të qeverisë për sportin. Nikolla tha se sporti është kthyer në kryefjalën e investimeve madhore të qeverisë shqiptare, ku bën pjesë edhe parku olimpik.

“Po përjetojmë strategjinë tonë kombëtare të sportit në shkolla, të sportit në universitet. Falënderoj të gjithë ata që ndihmuan dhe kontribuuan, padyshim kryeministrin shqiptar, që e ka kthyer sportin në kryefjalën e edukimit, që e ka kthyer sportin në kryefjalën e investimeve madhore të qeverisë shqiptare. Nuk do të reshtim për të jetësuar programin tonë. Kemi rezultatet e para të jetësimit të sportit shkollor. Tirana do të jetë në drejtimin e duhur, Shqipëria është në drejtimin e duhur, edhe në sport si në të gjitha fushat e jetës.

Këtë qendër ta kthejmë në një pikë rëndese të edukimit të të rinjve”, tha Nikolla.

Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se parku olimpik nuk do tu shërbejë vetëm sportistëve elitarë, por 1 herë në 4 vjet do të organizohet edhe kampionati i personave me aftësi të kufizuara.

“Nuk mund të kishte një ditë më të mirë për mua për të rifilluar si Ministër i Rinisë. Ndjehem shumë i kënaqur që po përmbushim një nga objektivat që i kemi vënë vetes. Kjo godinë nuk do të jetë vetëm për sportistët elitarë, por do të mirëpresë njëherë në 4 vjet kampionatin e personave më aftësi të kufizuara”, tha ai.

Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës ka qenë ai që ka bërë publike detaje të projektit për kopshtin zoologjik. Në fillim të fjalës, Veliaj ka njohur opinionin publik me inventarin aktual të kopshtit zoologjik. Veliaj tha se sapo të nisë punën si kreu i ardhshëm i bashkisë, do të hapë një konkurs ndërkombëtar për projektin më të mirë.

“Sot është 1 qershori dhe së pari dua të uroj fëmijët tuaj, gëzuar festën! Nuk mund të kishte dhuratë më të bukur se prezantimi i kopshtit zoologjik të Tiranës. Unë jam betuar që në fushatë të mos tregoj kurrë barsoleta por dua të lexoj tani inventarin e kopshtit zoologjik. Më ndjeni nëse tingëllon si barsoletë. Ja kafshët e kopshtit zoologjik: 1 ujk, 2 arinj, 5 lama, 6 rosa, 3 pula, 5 dhi. Më ka pëlqyer një histori që ka treguar Edi Rama kur filloi punën në Bashkinë e Tiranës. Më kujtohet historia kur luani nga mungesa e trajtimin, nga kafshë mishngrënëse ishte kthyer në kafshë vegjetariane. Situata nuk është aq keq, është edhe më keq. Sepse luani nuk është, ka ngordhur. Një i përndjekur më tha se ky nuk është kopsht zoologjik, por Spaçi i kafshëve”, u shpreh Veliaj.

Ai shpjegoi se projekti për kopshtin Zoologjik është krejtësisht ndryshe, duke treguar se ai do të integrohet me liqenin dhe kopshtin botanik.

“Kemi projekt krejtësisht ndryshe për kopshtin zoologjik. Me të filluar punë në Bashkinë e Tiranës, do hapim një konkurs ndërkombëtar për projektin më të mirë. Do integrohet me liqenin dhe me kopshtin botanik. Do sigurohemi që 3 hapësirat të lidhen me njëra-tjetrën. Do të shtojmë nga speciet shtëpiake deri në speciet ekzotike, arkitektët kanë menduar më shumë se 50 lloje kafshësh. Me konceptin tonë të ri nuk do jetë një tjetër ndërmarrje pastrim-gjelbërimi, por do të jetë një fondacion, i hapur për sponsorizim dhe administrim të përbashkët me biznesin. Duam që të jetë një hapësirë komerciale që vetërrit të ardhurat”, tha Veliaj.

(m.k/a.n/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb