Milani prej kohësh ka nisur punët për sezonin e ardhshëm dhe sot ka bërë prezantimin e futbollistit të parë që është afruar te “djalli”. Pas kalimit të vizitave mjekësore dhe firmës në kontratë, klubi me një postim në faqen zyrtare në internet, ka përshkruar karrierën e mbrojtësit Musascio duke treguar pesë veçori të tij duke theksuar që në fillim se ai është me origjinë shqiptare.

“Mateo Musaccio, i lindur në Rozario të Argjentinës, zotëron pasaportën italiane falë gjyshërve nga babai, të cilët ishin pjesë e komunitetit shqiptar të Portikanone, një komunë në provincën e Kampobasos”, shpjegonte klubi italian në këtë artikull të shkurtër.
Veçoritë e tjera ishin se ai ishte debutuesi më i ri në historinë e River Pleit, duke luajtur me ekipin e parë në moshën 16 vjeçare, njihte Zapatën, kishte qenë pjesë e mbrojtjes së dytë më të mirë në Spanjë në sezonin e fundit te Vijareali si dhe preferonte të mbante numrat 5 dhe 13.

Ndërkohë, Musaccio bëri edhe xhiron e parë në ambientet e klubit, i shoqëruar nga e fejuara e tij, Irene Gonzalez, ndërsa dha edhe intervistën e parë si futbollist i kuqezinjve, duke treguar krenarinë se po vishte fanellën e kësaj skuadre.
(e.k/BalkanWeb)
