Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka prezantuar një draft strategji për kinematografinë. Në të parashikohet, kthimi i Qendrës Kombëtare te Kinematografisë në  Agjenci Audiovizuale, rritje buxhetesh dhe rijetësim i kinemave

Në “HangArt”, një strukturë e re që bashkon artin me hangarin, është mbajtur këtë të martë një takim me kineastët. Dhjetra kineastë ndoqën prezantimin e strategjisë për  kinematografinë, në këtë strukturë të re prej xhami të inauguruar së fundmi, strukturë që i ngjante një sere për nga temperaturat e larta, për të cilat, ra dakord edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Në fillim të fjalës së tij, ai foli për temperaturën dhe punët që mbase nuk shkojnë siç duhet.

Më tej, u  bë prezantimi i  Strategjisë për Kinematografinë, që vjen pas disa takimesh konsultë me kineastët.

Strategjia parashikon: kthimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Agjenci Audiovizuale, buxhet të rritur dhe të qëndrueshëm,  hartimin me urgjencë të ligjit të ri për audiovizualin duke nisur  në shtator amendamente derisa të të bëhet ligji i ri dhe rijetësimin e kinemave ekzistuese e rrjet i organizuar për shpërndarjen e filmit shqiptar.

Më në detaje, pritet krijimi i Albania Film Commission që synon tërheqje e produksioneve ndërkombëtare dhe promovim aktiv i Shqipërisë si destinacion, implementimin e tax rebate(kthimi i taksës) për produksione të huaja si edhe hartimin e programeve të edukimit,  ngritjen e platforme digjitale kombëtare për industrinë, që do të jetë Databazë online për lokacione filmike, talente artistike e teknike, studio e pajisje etj; krijimin e një zyre për tërheqjen e investimeve të mëdha, mbështetje për ndërtimin e studiove duke marrë si hapësirë, zonën e Metalurgjikut Elbasan për studio prodhimi, etj.

Ndërsa prezantimi u bë nga zv.ministrja Lira Pipa e drejtori i QKK, Jonid Jorgji, Ministri Gonxhja, premtoi vullnet politik e buxhete, ndërsa kërkoi ndjesë për çfarë nuk ka ecur deri tani.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb