Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pakistanin, ku prezantuesja e njohur televizive Rabia Ahsan, 41 vjeçe, është gjetur e vrarë me armë zjarri në banesën e saj në Rawalpindi. Për ngjarjen është arrestuar bashkëshorti i saj, Ahsan Tahir, i dyshuar si autor i vrasjes. Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi të dielën pasdite, ndërsa nëna dhe motra e viktimës ndodheshin jashtë banesës. Kjo e fundit dëgjoi të shtënat dhe, kur hyri në dhomën e gjumit, e gjeti të motrën të mbuluar me gjak dhe bashkëshortin e saj me armë në dorë.

Sipas raportimeve, prezantuesja kishte marrë plagë në pjesën e poshtme të qafës dhe në anën e djathtë të shpinës. Gjatë marrjes në pyetje, Tahir dyshohet se ka pranuar se kishte qëlluar me armë, por ka pretenduar se nuk e dinte që ajo ishte e mbushur dhe se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht. Megjithatë, policia po heton rrethanat e ngjarjes. Raportohet gjithashtu se ai nuk kishte leje të vlefshme për armëmbajtje.

Vetëm disa orë para vdekjes, Rabia Ahsan kishte publikuar një video në kanalin e saj në YouTube, ku komentonte zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Në fund të videos, ajo kishte bërë të ditur se llogaria e saj në WhatsApp ishte hakuar. Çifti jetonte së bashku dhe kishte dy fëmijë. Sipas informacioneve paraprake, nuk ishin raportuar konflikte të mëparshme familjare mes tyre. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb