Në programin e drekës në News24 i ftuar ishte analisti Erl Murati.
Ai ka komentuar situatën brenda PD dhe opozitës si dhe është ndalur më procesin e Primareve që po mbahet sot në të gjithë qarqet e vendit.
Murati u shpreh se primaret janë një angazhim i detyrueshëm për partinë, duke qenë se ishte një premtim i liderit të PD-së, Sali Berisha, që u bë në vitin 2021 gjatë Kuvendit Kombëtar, në kulmin e krizës së brendshme dhe përçarjes së thellë të partisë. Berisha kishte theksuar se nuk do të ndiqte shembullin e ish-kryetarit Lulzim Basha për caktimin e kandidatëve.
Kryedemokrati ka iniciuar një proces të tillë sipas Muratit, me vetëdijen se mund të ketë surpriza dhe se njerëz pranë tij mund të mbeten edhe jashtë listave.
“Zhvillimet në PD, pra Primaret janë një zhvillim brenda partiak dhe interesi në publik është pak a shumë i kufizuar.
Por PD është një parti e madhe dhe ka një kureshtje për listën e saj të kandidatëve për deputetë.
PD e dënuar të kryente këto Primare sepse ishte një premtim i Berishës që në 2021 në Kuvendin Kombëtar në stadium. Në kohën e përçarjes së madhe. Ai thoshte unë nuk jam si Basha që i vendosi kandidatët në ambiente të mbyllura.
Opozita në tërësi nuk është në një situatë të mirë, është e përçarë, dalja e grupimeve të reja tregon që ka një lloj fragmentarizimi, ndryshe nga mazhoranca.
Krahas emrave të rinj, Berisha e ka iniciuar këtë proces i vetëdijshëm se mund të kenë surpriza dhe njerëzit pranë tij mund të mos jenë në lista ose e anasjellta. Është një kosto që duhet ta paguajë”, tha ai.
(BalkanWeb)
