Prishtina ka shënuar fitore bindëse në derbin e xhiros së tretë të AlbiMall Superligës së Kosovës, duke e mposhtur Llapin, me rezultat 4:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Skuadra kryeqytetase e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë. Assane Diatta shënoi për 1:0, duke i dhënë Prishtinës avantazhin e hershëm.

Në pjesën e dytë, vendasit e kontrolluan lojën dhe e thelluan epërsinë. Albin Krasniqi realizoi në minutën e 63-të për 2:0, ndërsa Diatta shënoi edhe golin e tij të dytë personal në minutën e 71-të për 3:0.

Rezultatin përfundimtar 4:0 e vulosi Arjanit Fazlija, i cili realizoi në minutën e 84-t.

Për Prishtinën kjo ishte fitorja e dytë në po aq ndeshje të zhvilluara në këtë edicion. Ndeshja e xhiros së dytë ndaj Dritës nuk është zhvilluar për shkak të angazhimit të skuadrës gjilanase në garat evropiane dhe do të zhvillohet në një datë të mëvonshme.

Në anën tjetër, Llapi, i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina, pësoi humbjen e tretë radhazi në kampionat dhe pozicionohet i fundit.

Fitore në xhiron e tretë ka regjistruar edhe kampionia në fuqi, Drita, e cila në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali mposhti Vushtrrinë, me rezultat 1:0.

Ndeshja u karakterizua nga lufta për çdo top, ndërsa skuadra gjilanase pati më shumë iniciativë, veçanërisht në pjesën e parë. Drita krijoi disa mundësi për shënim, por pa arritur ta zhbllokojë rezultatin.

Rasti më i mirë për Dritën në pjesën e parë erdhi në fund të saj, kur Igball Jashari nuk arriti të shënonte nga afërsia.

Goli i fitores erdhi në minutën e 78-të. Arb Manaj u gjend në vendin e duhur pas harkimit të Almir Ajzerajt dhe me kokë nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.

Vushtrria u përpoq të reagojë në minutat e mbetura, por gjërat iu vështirësuan edhe më shumë në minutën e 82-të, kur Haris Ibrisagiq u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Igball Jasharit.

Me këtë rezultat, Drita regjistroi fitoren e dytë në dy ndeshjet e zhvilluara nën drejtimin e trajnerit Ardian Nuhiu.

Për Vushtrrinë kjo ishte humbja e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb