Java e dhjetë e Albi Mall Superligës së Kosovës është mbyllur me dy ndeshje interesante, ku Prishtina triumfoi në udhëtim ndaj Ballkanit, ndërsa Dukagjini dhe Drenica barazuan në përballjen e tyre në Klinë.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini dhe Drenica luajtën baras 1:1 në ndeshjen e zhvilluar nën dritën e reflektorëve. Skuadra vendase e nisi mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë me golin e Elton Basrit. Megjithatë, rrjedha e takimit ndryshoi në minutën e 15-të, kur Kushtrim Gashi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër, duke e lënë Dukagjinin me një lojtar më pak. Drenica shfrytëzoi epërsinë numerike dhe arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 20-të, kur Agim Zeka realizoi për 1:1. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe ekipet u desh të kënaqeshin me nga një pikë.

Ndërkaq, më herët Prishtina shënoi fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat minimal 1:0 në Suharekë.

Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi talenti Rin Ahmeti në minutën e 52-të. Pas rishikimit të situatës në VAR, goli u konfirmua, duke i dhënë epërsinë skuadrës nga kryeqyteti.

Prishtina mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 75-të, kur mbrojtësi Diar Halili u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Ballkani tentoi deri në fund të gjente golin e barazimit, por Prishtina arriti ta ruante epërsinë dhe t’i arkëtonte tri pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Prishtina vazhdon serinë pozitive dhe mbetet skuadra e vetme në Superligë pa humbje. Kryeqytetasit kanë 23 pikë, aq sa Malisheva, që kryeson tabelën, por Prishtina ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, atë kundër kampiones në fuqi, Dritës. Ndërkohë, Ballkani mbetet në pozitën e gjashtë me 13 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb