Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të xhiros së 24-t të Albi Mall Superligës së Kosovës, ku skuadrat që janë duke luftuar për mbijetesë morën pikë të rëndësishme si mysafire. Në stadiumin “Fadil Vokrri”, dy skuadrat e kryeqytetit, Prishtina dhe Prishtina e Re, ndanë pikët pas një barazimi 1:1. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 37-të me golin e Mario Ilievskit, i cili u asistua nga Blend Baftiu pas një gabimi të kundërshtarit dhe u konfirmua pas rishikimit me VAR, ngase fillimisht u mendua për pozitë jashtëloje. Por Prishtina e Re barazoi në minutën e 73-të përmes sulmuesit Astrit Berisha. Me këtë barazim, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 38 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 23 pikë. Prishtina ka katër ndeshje pa fitore, ndërsa Prishtina e Re ka dy barazime e një humbje në tri takimet e fundit.
Drenica shënoi fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ndaj Gjilanit, me rezultat 1:0, duke e ndalur serinë e tri fitoreve radhazi të kundërshtarit. Golin e fitores e shënoi Kreshnik Uka nga penalltia në minutën e 22-të, e dhënë pas ndërhyrjes së Sabit Bilalit ndaj Igball Jasharit dhe konfirmuar me VAR nga gjyqtari Alban Shala. Goli i Igball Jasharit në minutën e 67-të u anulua për shkak të prekjeve me dorë gjatë ndërtimit të aksionit. Kjo ishte fitorja e parë për Drenicën që nga 13 dhjetori, pas gjashtë ndeshjeve pa fitore. Drenica ngjitet në pozitën e nëntë me 25 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e pestë me 36 pikë.
Fitore po aq të rëndësishme shënoi edhe Ferizaj, që arriti fitore me përmbysje të rezultatit (2:1) në udhëtim te Malisheva në stadiumin “Liman Gegaj”. Malisheva kaloi në epërsi në minutën e 12-të me golin e Mevlan Zekës nga penalltia, e dhënë pas prekje me dorë të Ade Ogunsit në zonë dhe konfirmuar nga VAR. Ferizaj barazoi në minutën e 35-të me golin e Ade Ogunsit. Ndërkaq, goli i fitores për Ferizajin erdhi në minutën e dytë të kohës shtesë nga Ruben Silva. Me këtë fitore, Ferizaj ngjitet në pozitën e tetë me 26 pikë, Malisheva mbetet e katërta me 37 pikë.
