Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka shkuar sot në SPAK. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Mësohet se Mediu është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për çështjen e privatizimit të ish-Kompleksit ‘Partizani’. Mediu është thirrur si deklarues për çështjen e privatizimit të godinës, ndërsa akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’.
Ish-ministri u paraqit në SPAK në orën 10:00, për të dhënë shpjegime para prokurores Enkeleda Millonai mbi procedurat për privatizimin e ish-kompleksit. Prokurorja urdhëroi paraqitjen e detyrueshme të Mediut, për të dhënë të dhëna të dobishme për këto hetime.
Sipas prokurores, nëse ish-ministri nuk do të paraqitej, ai do duhej të shoqërohej në mënyrë të detyrueshme nga policia për të dhënë sqarime. Prokuroria po kryen hetime mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga kreu i grupit parlamentar të PS, Balla. Ai ka kallëzuar disa zyrtare dhe ish-zyrtarë, përfshi ish-kryeministrin Berisha, Arben Imamin dhe Jamarbër Maltezin, duke i akuzuar ata se përmes shkeljeve kanë privatizuar kompleksin. Më herët është paraqitur Balla, ku ai thuhet se ka dhënë prova të reja, për atë që ai e ka quajtur skandal.
Gazetarja ka siguruar dhe kërkesën që kreu i SPAK, Arben Kraja i ka dërguar Kuvendit, ku kërkohej marrja në pyetje të Mediut.
(BalkanWeb)
