Një incident tragjik ndodhi mëngjesin e së dielës në ujërat përballë Shkëmbit të Kavajës, ku dy pushues nga Anglia, me origjinë nga Gana, humbën kontrollin mbi një Jet Ski dhe përfunduan në det. Si pasojë, një 34-vjeçar ndërroi jetë, ndërsa një vajzë rreth të 30-ve ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Policia e Durrësit ka arrestuar Luis Xhumarin, operator turistik, për akuzën “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Njoftim i Policisë:

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb