ILD ka nisur raportimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Në fillim të raportimit, kreu i ILD Artur Metani është ndalur tek vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Metani tha se ngjarja ishte tronditëse duke shtuar se solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla.

“Më lejoni të vlerësoj rolin e rëndësishëm të Kuvendit në këtë situatë që kaluam dhe po kalojmë prej ngjarjes në fillim javën e shkuar. Ajo që ndodhi ishte tronditëse për të gjithë. E falenderoj Kuvendin për aktin solemn, të nderimit të gjyqtarit me një minutë heshtje. Solidariteti njerëzor dhe institucional është jetik për t’u përballur me situata të tilla, ku gjetja e kufijve të duhur për të ndarë nga njëra anë problemet e sistemit, pakënaqësitë e bazuara dhe të pabazuara për punën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, dhe nga ana tjetër reagimet ekstreme me çmim shumë të rëndë, është shumë e vështirë”, u shpreh ai.

Një nga problematikat e evidentuara prej tij gjatë raportimit është tejzgjatja e proceseve gjyqësore dhe zvarritja e proceseve.

“Me këto ndjesi, kemi përgatitur me kolegët këtë raportim, duke paraqitur këtu jo vetëm shifra, por edhe një panoramë të problemeve të sistemit gjyqësor sot, sipas këndvështrimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si edhe sfidat që duhet të adresojmë, ne, organet e sistemit të drejtësisë, por edhe të tjerë aktorë institucionalë e publikë. ILD ka evidentuar disa problematika, kohëzgjatja e gjykimeve tej afateve të arsyeshme, zvarritja e veprimeve hetimore, vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Efektiviteti dhe standardi i sistemit të drejtësisë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për qytetarët shqiptarë. Problematika vijon të mbetet tejzgjatja e proceseve gjyqësore, një problem i evidentuar në mënyrë të vazhdueshme nga ankesat, nga inspektimet e ILD, nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut por edhe nga raportet e organizmave ndërkombëtare. Në vendimmarrjen e fundit, GJEDNJ ka adresuar rekomandime konkrete për plotësimin e vakancave në Administrativen e Apelit dhe Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Tejzgjatja e proceseve gjyqësore ndikon direkt në perceptimin për besimin e publikut tek drejtësia ose rritja e besimit të të cilit është një nga shkaqet kryesore që u ndërmor Reforma në Drejtësi”, tha Metani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb