I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, duke sjellë rritje të riskut në rrugët nacionale, bashkiake dhe në ura. Si pasojë e kushteve atmosferike, subjektet kontraktore dhe drejtoritë e rrugëve rurale po punojnë me kapacitet maksimal gjatë gjithë kohës për të garantuar funksionalitetin e rrugëve nacionale dhe lidhjen me zonat rurale. Pavarësisht situatës, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Në Bashkinë Kukës, problematika më shqetësuese mbetet ura e fshatit Orgjost, e cila vijon të jetë e rrezikuar pas dëmtimit të njërës nga këmbët mbajtëse. Banorët raportojnë se për shkak të përkeqësimit të situatës, fëmijët nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë, ndërsa kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga strukturat e Emergjencave Civile në nivel vendor dhe qendror. Rreth 1 mijë banorë të dy lagjeve të fshatit rrezikojnë të izolohen.

Vijojnë të jenë të bllokuara disa segmente rrugore në Njësinë Administrative Zapod, konkretisht rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë. Për shkak të motit të keq, sot nuk është zhvilluar mësimi për nxënësit e shkollës në Cërnalevë. Nga Bashkia Tropojë raportohet se nuk ka problematika, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

Në Bashkinë Has mbetet problematik rezervuari Helshan 2, pasi poshtë tij ndodhet një objekt shkollor, çka përbën risk për sigurinë. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës furnizohet normalisht, përjashtuar Njësitë Administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan në Bashkinë Kukës, ku vijojnë ndërprerjet për shkak të kushteve atmosferike. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: