E shtuna e 7 qershorit, rezervon një nga duelet me të zjarrta të Ballkanit, siç është ajo mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka theksoi për Log. në News 24 se problemet e serbëve dhe tymnaja e krijuar së fundmi rreth listës së tyre, nuk kanë shumë rëndësi në këtë moment.

Na favorizon gjendja jo e mirë e Serbisë, me përplasjet që kanë brenda grupit? – Janë skuadër profesioniste, me futbollistë profesionistë, të një niveli më shumë se mesatar. Nuk besoj se në një ndeshje të tillë, ku ka rëndësi klasifikimi për ekipin kombëtar, nuk do ta ndikonte asgjë. Favor për ne është që kemi një skuadër më kompakte me të gjitha komponentët, sportivë, jashtë fushës dhe jo vetëm me lojtarët, por edhe stafin. Dhe jo vetëm kjo, por edhe mbështetja e jashtëzakonshme. Meraku është që futbollistët të gjejnë balancën për të mos qenë në trysni për këtë rezultat, por të kenë impenjimin e balancuar, të domosdoshëm sportiv për të arritur këtë rezultat.

Serbia na mundi në ndeshjen e fundit në Elbasan, mund të jetë “Arena Kombëtare” fat për ne? – Nuk ka lidhje një ndeshje e luajtur 10 vite më parë me një ndeshje që do të luhet sot. Kemi ndryshuar skuadër, ka ndryshuar Serbia. Jemi thuajse në të njëjtat nivele. Serbia është një skuadër për t’u respektuar nga pikëpamja kualitative. Ka futbollistë që luajnë në ekipe të mira dhe që kanë bërë karrierë të mirë sportive dhe kur janë në ditë të mira, të bëjnë ‘dëm’. Por kanë luhatjet e tyre dhe uroj që kur të jenë në Tiranë, të jenë në pikën negative.

(J.S/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb