Pasi hapi rrugën për të konkurruar i vetëm në zgjedhjet e brendshme, Sali Berisha ka zgjedhur të hapë një tjetër front, atë me mediat. Ai akuzon ekranet që iu japin hapësirë zërave ndryshe brenda Partisë Demokratike, duke përmendur në fillim Ervin Salianjin dhe tani edhe Lulzim Bashën. Por problemi nuk është te media që pasqyron një realitet. Problemi është tek ai që nuk e pranon më atë realitet.

Sepse faktet janë kokëforta.
Nuk ishte media ajo që e solli Lulzim Bashën nga Holanda. Nuk ishte media ajo që e bëri ministër të Transporteve, ministër të Jashtëm dhe të Brendshëm, apo kryetar të Bashkisë së Tiranës. Dhe mbi të gjitha, nuk ishte media ajo që i dorëzoi Bashës Partinë Demokratike.
Ishte vetë Sali Berisha!

Ai e ndërtoi, e promovoi dhe e vendosi Bashën në krye, duke e shpallur për vite me radhë si të ardhmen e së djathtës, madje si kryeministrin më të mirë që do të kishte vendi. Por në momentin që Basha mori vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, pas shpalljes “non grata”, gjithçka u përmbys. I njëjti njeri që dje ishte pasardhësi, u kthye në armik.
Kujtojmë se në momentet e tij politike më të forta, Lulzim Basha ka arritur të mobilizojë protesta dhe të mbledhë mijëra qytetarë. Sot, ky është një standard që Sali Berisha e ka gjithnjë e më të vështirë ta arrijë. Dikur mjaftonte një thirrje për të mbushur sheshet, sot pjesëmarrja mbetet e kufizuar.

E njëjta skemë edhe me Ervin Salianjin. Ishte i vlefshëm kur përballej në zgjedhje dhe sillte rezultat si në Korçë ashtu edhe në Kavajë, ishte i vlefshëm kur u përball me drejtësinë dhe u përdor si simbol politik, por sapo doli nga rreshti, u kthye në problem.

Në thelb, Sali Berisha nuk ka problem me Ervin Salianjin si individ dhe as me faktin që ai shfaqet në ekranin e News24, sepse ai shfaqet në shumë prej tyre. Problemi i vërtetë është me ato media që kanë audiencë të gjerë dhe besueshmëri te publiku. Sepse pikërisht aty, ku fjala ka peshë dhe arrin te qytetarët, çdo zë ndryshe bëhet i dukshëm dhe i padiskutueshëm.

Sali Berisha po vuan pasojat e vendimeve të veta. Duke mos lejuar një garë reale për drejtimin e partisë, qoftë edhe formalisht, ai po shmang testin. Përse po ndodh kjo? Mungesë besimi tek mbështetësit, apo paranojë se situata mund të dalë nga kontrolli dhe ndodh ndonjë e papritur? Ndërkohë që kritikohet për këtë, ai zgjedh rrugën e njohur – të akuzojë se fajin e kanë të tjerët.

Radha tani i ka ardhur medias. Por me këtë akuzë Sali Berisha bëhet fare i pabesueshëm.
Sepse e njëjta media që sot sulmohet, është ajo që i ka dhënë hapësirë të përditshme, pa filtra dhe pa censurë. Nëse ka një politikan që nuk mund të ankohet për mungesë hapësire televizive, është pikërisht Sali Berisha.

News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare kanë bërë detyrën që ka një media, kanë pasqyruar të gjitha zërat, edhe kur ato janë kundër njëri-tjetrit. Dhe pikërisht për këtë arsye kanë qenë nën presion dhe sulme, sepse nuk kanë pranuar të zgjedhin një anë, por të qëndrojnë te faktet.

Vetë Sali Berisha pranon se televizioni që përmend “ka gazetarë të mirë”. Dhe kjo është e vërtetë. Por këta gazetarë të mirë kanë pas vetes një botues po aq serioz, që garanton standarde dhe pavarësi editoriale. Ky botues nuk ka qenë dhe nuk është peng i askujt, as i Sali Berishës dhe as i Edi Ramës. Nuk ka marrë favore apo punë publike prej asnjërit, ndaj nuk ka arsye t’i detyrohet askujt. Pikërisht kjo pavarësi mundëson që gazetarët të bëjnë punën e tyre me integritet dhe pa kompromis.

Të atakosh median pasi e ke patur si tribunë çdo ditë, nuk është vetëm kontradiktë. Është përpjekje për ta frikësuar dhe delegjitimuar atë.

Problemi i Sali Berishës është se nuk lë hapësirë për mendim ndryshe. Çdo zë që del jashtë vijës së tij përjashtohet. Dhe kur një parti funksionon kështu, ajo nuk drejtohet më, por kontrollohet.
Jo për të bashkuar, por për të mbetur në dorën e një njeriu të vetëm, deri në fund.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: