Partia Demokratike ka përmbyllur një proces të nisur që nga 3 gushti që kishte të bënte me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Një nga anëtarët e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve, ish-presidenti Bujar Nishani ka qartësuar në një intervistë për gazetarin Osman Stafa disa nga pikëpyetjet kryesore për sa i përket procesit dhe listës me të cilën PD do të shkojë në zgjedhje.

Nishani tha se ka qenë një proces i vërtetë që meritën nuk e ka vetëm tek risia e përzgjedhjes së kandidatëve por edhe tek krijimi i raporteve me bazën për vendimmarrjen.

“Ka qenë një proces i nevojshëm dhe i domosdoshëm, jo vetëm për të sjellë risi por se si vendosen raportet e një partie të caktuar me bazën e saj, apo raportet për vendimmarrjen. Risia e këtij procesi nuk është vetëm tek qenia e një komisoni ad hoc. Shpesh herë lidershipi i partive të caktuara, përfshi dhe PD është kritikuar nga opinioni për përqendrimin e kompetencave. Liderishipi i PD qartazi ka shpërndarë pushtet. Ka qenë një proces që ka marrë kohën e caktuar por ka qenë i vërtetë. E rëndësishme sot në raportet e një mungese të thellë besimi mes institucioneve e qytetarëve. Nuk pretendojmë se ka qenë perfekt. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me të vërtetën. Procesi ka qenë i vërtetë. Kur qytetarët shikojnë që procesi është i vërtetë sjell një impakt pozitiv”, deklaroi Nishani.

Sipas tij, ky komision ka marrë në analizë të detajuar elemente të rëndësishme.

“Transparenca dhe vërtetësia e procesit të rëndësishme përveç asaj që nga lidershipi vendimmarrës është shpërndarë pushtet.
Tek metodika dhe platforma dhe doktrina që ka pasur kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar, nuk ka qenë proces i bazuar tek eliminimi i dikujt. Metodika ka qenë për të përzgjedhur më të mirët e mundshëm që të maksimalizojnë votën. Nëse kemi pasur një grupim njerëzish, janë zgjedhur 15 më të mirët e mundshëm. Kjo ka bërë që kriteret të jenë të pacenueshme.
Ka pasur nga ata që vinin nga familje të të përndjekurve politikë që ka qenë një nga shtyllat e politikës së PD. Ka qenë një proces përveçse i vërtetë dhe me një dozë solide sinqeriteti brenda tij”, tha Nishani.
Lidhur me eliminimin e ndonjë kandidati që ka qenë edhe në listën e 2017 apo atyre figurave që kanë kontribuuar, ai tha se nuk ka pasur asnjë metodikë të veçantë për askënd. “Metodika e komisionit nuk ka pasur elementë për t’i trajtuar në mënyrë të veçantë. Janë gjykuar në mënyrë të barabartë. Kemi gjykuar mbi të njëjtat kritere dhe me të njëjtën barazi për secilin e tyre. Tek komisioni secili prezantonte një kandidat potencial, jo dikë që vinte me bonus”, tha Nishani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb