Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë në procesin ndaj Aldo Bares, Arben Kicja rrëfen për emisionin “Xhungël” të gazetarit Artan Hoxha se në asnjë rast nuk ka shkelur marrëveshjen me zyrën e mbrojtjes së dëshmitarit, por që pas 2013 ai është lënë pa mbrojtje, pa integrim dhe pa para në Itali.

Ai deklaron se ka vënë në dijeni policët italianë për çdo lëvizje në Shqipëri, pasi me përfaqësuesit shqiptarë kishte humbur çdo lloj kontakti dhe se detyrohej të vinte këtu për të marrë paratë.

Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë në procesin ndaj Aldo Bares, Arben Kicja ka rrëfyer në emisionin “Xhungël” të gazetarit Artan Hoxha gjithë peripecitë e jetës së tij, si guxoi të dëshmonte ndaj të fortit të bandës së Lushnjës i dënuar me burgim të përjetshëm, por dhe për atë sesi ai e humbi statusin e dëshmitarit të mbrojtur duke u lënë i braktisur dhe nën kërcënimin e atyre të cilët ai denoncoi vite më parë. Që pas vrasjes së Xhevat Demirit në Lushnje në gusht të vitit 1997 nisin dhe vështirësitë e jetës së Arben Kices, i cili u detyrua të largohej në Greqi, vend në të cilën ndenji deri në vitin 2002.

Për vrasjen e Xhevat Demirit ai do dëshmonte kundër Aldo Bares përmes një video konference në Gjykatën e Krimeve të Rënda në 31 mars 2010. Që prej dëshmisë së tij kundër Aldo Bares, Arben Kices i jepet statusi i dëshmitarit të mbrojtur përmes një marrëveshje që sipas tij s’ka qenë asnjëherë e plotë dhe se zyra për vlerësimin dhe mbrojtjen e dëshmitarit është e korruptuar. Arben Kicja thotë që e çuan në Itali por ai dhe familja e tij mbetën aty të paintegruar, pa arsim, pa mbrojtje, madje hera herës dhe pa para.

“Nuk kam pasur as integrim, as mbrojtje asgjë. Momentin që këta fituan pushtetin u ndërprenë kontaktet me italianët. Habiteshin italianët, nuk na besonin çfarë thoshin. Kemi ndejtur në shtëpi, nuk kam asnjë lloj kontakti, nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë shqiptar në Itali. Nëse kam pasur unë mbaj përgjegjësi ligjore”,-thotë Kicja.

Më 7 gusht të këtij viti komisioni për vlerësimin e mbrojtjen e dëshmitarëve të mbrojtur përjashton Arben Kicën nga programi pasi në mënyrë të përsëritur ai kishte shkelur marrëveshjen. Burime nga ky komision thonë se Kicja ka ardhur në kundërshtim me marrëveshjen disa herë në Shqipëri madje dhe me automjetin e tij. Por ky i fundit thotë që detyrohej ta bëjë këtë për shkak të mungesës së financave, humbjes së kontakteve me palën shqiptare dhe se për çdo lëvizje ka venë në dijeni policët italianë. Madje sipas tij, pala shqiptare ka qenë në dijeni të çdo lëvizje që ai bënte. Madje Kicja kujton dhe rastin e fundit kur ai hyri në Shqipëri me automjetin e tij pas së cilës humbi dhe statusin e dëshmitarit

“Po çfarë marrëveshje kam thyer. E para e punës për shumë vite kemi kërkuar atje integrim, që e kemi të shkruajtur në marrëveshje. Kemi kërkuar arsimim, të vemi në shkollë, e ke të shkruajtur. Pse nuk i zbatojnë? Pa lekë, pa rrogë, vetëm kemi qenë të izoluar. Nuk ka marrëveshje. Zyra është zyrë e korruptuar. Ne i kërkonim, na mbyllnin telefonat, drejtori na mbyllte telefonin. Edhe financierit i thanë që nuk duhet të kesh më kontakt me filanin. Tre katër herë që kam ardhur në Shqipëri unë jam paguar, kam marrë lekët e rrugës, rrija nga 4-5 ditë sa të më sillnin lekët. Marrëveshja thotë që duhet t’ju marrësh lekë italianët, këta nuk kanë kontakt me italianët. Nga problemet që kam pasur dy herët e para ngaqë më linin të zbuluar bridhja me taksi…Kur kam ardhur me makinë, jam futur në doganë, jam përplasur me doganierin, ke uiski më tha mua, do më japësh ndonjë uiski. Çfarë uiski do ti more? Kontroll më tha mua,, filloi një kontroll ku gjetën një uiski dhe 6 shishe verë që mi sekuestruan. Që këtu filloi problemi”.

Arben Kicja thotë se problemet e tij kanë nisur që pas 2013 kur dhe vëllanë ia pushuan nga puna si polic provat, ndërsa me ndërhyrjen e qeverisë shqiptare atij iu refuzua dhe azili në Suedi. Arben Kicja kërkon me çdo kusht të rifitojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur pasi ndihet i kërcënuar dhe këtë kërkesë e ka paraqitur si në Prokurori dhe në institucione më të larta të shtetit. Mbështetje i ka dhënë vetëm Presidenti i Republikës, dhe kreu i opozitës.

Për dëshmitarin Kicja e vetmja zgjidhje mbetet sërish arratia por këtë herë jo me mbrojtjen e shtetit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb