Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për të zgjatur masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit edhe për dy muaj të tjerë. Vendimi është marrë më 11 prill 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.

Në të dy vendimet, trupi gjykues ka theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme që Thaçi dhe Veseli do të arratiseshin në rast se lirohen. Megjithatë, ekziston rreziku që ata të ndërhyjnë në zhvillimin e procesit gjyqësor, veçanërisht duke ndikuar tek dëshmitarët apo individë që shihen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka argumentuar se këto rreziqe nuk mund të neutralizohen në mënyrë të duhur jashtë paraburgimit. Këtë pikëpamje e ka mbështetur edhe trupi gjykues, duke theksuar se masa e paraburgimit është mënyra më e sigurt për të shmangur çfarëdo ndërhyrjeje në procesin gjyqësor apo shkelje të konfidencialitetit.

Për rrjedhojë, gjykata ka gjetur se vazhdimi i mbajtjes në paraburgim të Thaçit dhe Veselit është i justifikuar dhe i nevojshëm.

Ndërkohë, më 10 prill 2025, gjatë konferencës javore u bë e ditur se paraburgimi i Thaçit është zgjatur edhe në një rast tjetër që ka të bëjë me pengimin e administrimit të drejtësisë. Kujtojmë se më 30 shtator 2022, ZPS-ja dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar dhe të konfirmuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në këtë aktakuzë, e cila përmban dhjetë pika, ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjithashtu, më 29 prill 2022, ZPS kishte paraqitur një tjetër version të aktakuzës, ku përfshiheshin edhe ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur në vendbanime të tjera si Gjilani, Budakova dhe Semetishta.

Në paraqitjet e tyre të para në nëntor 2020, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat. Aktakuza fillestare ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: