Një operacion policor ka zbuluar një skemë të shpërndarjes së drogës në Durrës, ku lëndët narkotike përgatiteshin në formë karamelesh dhe shpërndaheshin pranë shkollave të mesme.
Operacioni i koduar “Shije e hidhur”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me strukturat hetimore, çoi në zbulimin e një baze për përpunimin e drogave sintetike dhe goditjen e një rrjeti që synonte kryesisht adoleshentët.
Në pranga ranë dy vëllezër, shtetasit L. L., 20 vjeç dhe R. L., 25 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, Xh. L., 20 vjeç, për të cilin vijojnë kërkimet.
Sipas hetimeve, tre të rinjtë kishin krijuar kushtet për prodhimin e lëndëve narkotike sintetike në formë xhelatine, të ngjashme me karamele, duke i bërë ato më tërheqëse për moshat e reja. Secili prej tyre kishte rol të caktuar në zinxhirin kriminal, nga prodhimi te transporti dhe shpërndarja.
Gjatë kontrollit ndaj njërit prej të arrestuarve, pranë zonës së shkollave, policia sekuestroi 50 paketime me drogë në formë karameleje, me peshë rreth 650 gramë.
Ndërkohë, në banesën e tyre në Tiranë u gjet një sasi e konsiderueshme materialesh dhe lëndësh për prodhimin e drogës, përfshirë xhelatinë në formë karameleje, kanabis, rreth 550 gramë material sintetik të gatshëm për përpunim, një peshore elektronike, kallëpe plastike për formimin e karameleve, si dhe përbërës të tjerë ndihmës.
Autoritetet theksojnë se operacioni është pjesë e masave për rritjen e sigurisë në shkolla dhe parandalimin e përhapjes së narkotikëve tek të rinjtë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale do t’i referohen Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.
