U kujtua të shtunën, më 15 nëntor 2025, 60-vjetori i ndarjes nga jeta i Prof. Ziaudin Kodra. Ndër të parët studiues shqiptar i historisë, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Prof. Ziaudin H. Kodra lindi më 7 korrik 1909 në Dibër të Madhe, në vigjilje të Kongresit Mbarëkombētar të Dibrës, dhe u nda nga jeta më 10 shtator 1965 në Tiranë.
Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Liceun Kombëtar Francez të Korçës 1928–1932.
Studimet e larta i vijoi në Fakultetin e Letërsisë pranë Universitetit të Studimeve në Firence.
(Mater Universitatis Studiurum Florentina) 1932–1936.
Karriera e tij arsimore e shkencore përfshin një sërë detyrash të rëndësishme:
Mësues letërsie në Shkollën Normale të Elbasanit (1936–1939)
Mësues letërsie në Gjimnazin e Tiranës (1942–1944)
Mësues letërsie në Shkollën e Mesme Pedagogjike, Tiranë (1946–1948)
Drejtor i Shkollës së Mesme Pedagogjike, Tiranë (1948–1950)
Pedagog i letërsisë shqipe në Institutin Pedagogjik, Tiranë (1950–1957).
Pedagog i letërsisë shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës (1957–1965).
Për kontributet e tij, ai u nderua me titullin “Mësues i Merituar”, me Çmimin e Republikës të shkallës I, si dhe me Urdhrin e Punës të klasit I.
Prof. Kodra ishte atdhetar, antifashist dhe intelektual i palëkundur. Pas pushtimit fashist të vitit 1939 u pushua nga puna dhe u internua fillimisht në Ventotene, e më pas në kampin-burg të Kolfioritos, Itali, ku u mbajt i izoluar për gati dy vjet. Pavarësisht vështirësive, ai vazhdoi me vendosmëri punën e tij shkencore e studiuese.
Ziaudin Kodra është ndër studiuesit e parë shqiptarë të gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe në Itali. Ai ia kushtoi jetën kësaj fushe, duke parë te historia e arbëreshëve pasqyrimin e përsëritur të fatit të komunitetit dibran që u detyrua të shpërngulej me dhunë gjatë vitit 1913 si pasojë e agresionit dhe pushtimit serb.
Ai ishte ndër të parët punonjës shkencorë në Republikën e Shqipërisë që fitoi gradën “Kandidat i Shkencave Filologjike” dhe titullin “Docent”.
Kontributi i tij përfshin:
Autor dhe redaktor i teksteve “Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe” (1952, 1954),
“Metodika e gjuhës shqipe” (1955),
“Metodika e letërsisë dhe hartimit” (1955).
Gjithashtu ishte bashkautor i veprës monumentale “Historia e letërsisë shqipe” në dy vëllime (1960, 1961), duke hartuar kapitujt kushtuar letërsisë arbëreshe.
Aktiviteti përkujtimor me rastin e 112-vjetorit të lëvizjes së bashkësisë dibrane në Tiranë dhe 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Ziaudin Kodrës, u zhvillua në sallën “Uraniku”, në Venec, Dibër e Madhe, në një atmosferë nderimi dhe mirënjohjeje për figurën e një prej personaliteteve më të shquara të kulturës dhe albanologjisë shqiptare.
Fjala përshëndetëse:
Saimir Shatku, Shoqata “Bashkësia Dibrane”.
Z. Fisnik Mela, Kryetari i Komunës Dibër, RMV.
Profesor Rruzhdi Keçi, Kryetar, Shoqata Tirana.
Ligjëruan me kumtesat e tyre personalitete si: Profesor Emeritus Emil Lafe, Insituti i Gjuhësisë, UT.
Akademik Prof. Dr. Adem Bunguri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Dr. Vilma Proko Jazexhiu, QShSA.
Dr. Jolanda Lila, QShSA.
Dr. Qëndresa Paçuku, kryetare, Shoqata për Histori dhe Trashëgimi Kulturore, Dibër.
Dr. Thoma Kristo, Mbi botimin e vepres “Studime Arbëreshe”, përmbajtja dhe vlerat e saj.
z. Ilir Kodra, në emër të familjes Kodra.
Në aktivitetin përkujtimor merrnin pjesë kolegë dhe miq nga Universiteti i Prishtinës, Shkupit dhe Tetovës si dhe u shfaq dokumentari kushtuar prof. Kodrës si dhe u prezantua gjithashtu në publik, përmbledhja e dorëshkrimeve dhe materialeve të tij, në një botim shkencor me titull “Studime Arbëreshe”, botuar dhe përgatitur posaçërisht nga Fondacioni Kulturor & Social Alsar, Tiranë.
