Klodian Braho u zgjodh sot me 7 vota nga KLP si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Ai lindi në Skrapar më 21 korrik 1982. Në vitet 2000-2004, Braho kreu studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe në 2005-2008 studioi në Shkollën e Magjistraturës. Ai mori emërimin më 14 nëntor 2007.

Braho ishte prokuror i SPAK dhe u emërua në këtë institucion më 19 dhjetor 2019, pas konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të rivlerësimi ose ndryshe siç quhet, procesi i vettingut. Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.

Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.

Dosjet e nxehta që ka hetuar
Gjatë karrierës së tij, Klodian Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, dosja Toyota Yaris, 5 D si dhe kryesuar hetimet për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Gjithashtu, ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati. Braho kryesoi hetimet edhe ndaj ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Ai ka hetuar edhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Në vitin 2022, Klodian Braho u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.

Në mars të vitit 2023, Braho dha dorëheqje nga një pjesë e një dosjeje që kishte në hetim, në lidhje me çështjen e inceneratorëve, pas pretendimeve të ngritura nga palë të përfshira për mungesë transparence në veprimet procedurale.

Në 2025, Braho ishte kandidati i parë që shpalli kandidaturën për kreun e SPAK.

Ka pasur këto detyra:
14.11.2007-2012/ Prokuror pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
2012-2015/ Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2014-2015/ Zv.drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2015-19.12.2019/ Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb