Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhe ka shpalosur programin e partisë së saj për punësimin.

Me anë të një video në “Facebook”, Kryemadhi theksonte se për LSI-në punësimi është një faktor jetik.

Ajo shtoi se do të krijojnë zona të lira pune dhe do të mbështesin të krijojnë vende të reja pune për rininë dhe profesionistët. Po ashtu Kryemadhi tha se do të mbështesin sipërmarrjen e lirë të profesionistëve të rinj në fushën e Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ndër të tjera, ajo tha se reforma e tyre në arsim do të përgatisë profesionistë të aftë për punësim dhe paga dinjitoze.

“Me punësimin është abuzuar dhe gënjyer shpesh. Të gjithë i kujtoni premtimet e pambajtura për 300 mijë vende pune! Për ne punësimi është jetik për t’i kthyer besimin rinisë tek Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët. Ne do të çlirojmë ekonominë nga monopolet dhe do ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e Investimeve. Do të krijojmë Zonat e Lira Ekonomike dhe do të mbështesim drejtpërdrejtë krijimin e çdo vendi të ri pune për rininë dhe profesionistët. Me programin Garancia Rinore do të mbështesim sipërmarrjen e lirë të profesionisteve të rinj në fushën e Teknologjisë dhe Inovacionit. Do të mbështesim drejtpërdrejtë prodhimin vendas bujqësor e blegtoral dhe industrinë ushqimore, që shqiptarët të ushqehen me produktet e tyre cilësore. Reforma në arsim do të përgatisë profesionistë të aftë për punësim dhe me paga dinjitoze.
Gjithë politikat tona do t’i shërbejnë punësimit!
Ne e mbajmë fjalën!
Shqipëria do të bëhet Shtëpia Juaj!”, tha Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb